Prezantohen masat me 75 milionë të BE-së, hapet thirrja për aplikim për Komuna për banesa-shumë banesore sociale

Prishtinë, 07.04.2023 – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, Zëvendësshefi i Bashkëpunimit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Alessandro Bianciardi dhe Drejtori Menaxhues i Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Ahmet Ismaili sot kanë mbajtur takim me Kryetarët e Komunave të Republikës së Kosovës.

Takimi është mbajtur me qëllim të bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional në mes të Qeverisë dhe komunave të Republikës së Kosovës dhe janë diskutuar masat e pakos emergjente 75 milionëshe nga Bashkimi Evropian për përballje me krizën energjetike evropiane.

Me këtë rast janë prezantuar masat të cilat do të implementohen gjegjësisht nga Ministria e Ekonomisë, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, si dhe Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë. Nga Pakoja emergjente do të implementohen masat si në vijim:

Subvencionimi i pajisjeve efiçente për familje në vlerë prej 10 milionë euro (ME),

Subvencionimi i pajisjeve efiçente për biznese të vogla e të mesme në vlerë prej 5 milionë euro (ME),

Mbështetja e drejtpërdrejtë financiare për familjet në nevojë në vlerë prej 25 milionë euro (MFPT),

Mbështetja e drejtpërdrejtë financiare për nxitje të kursimit në vlerë prej 15 milionë euro (MFPT),

Investimet në efiçiencë të shtëpive private të banimit në vlerë prej 10 milionë euro (FKEE),

Investimet në efiçiencë të ndërtesave shumë-banesore të destinuara për banim social në vlerë prej 10 milionë euro (FKEE).

Kryetarët e komunave janë njoftuar që nga sot është e hapur thirrja për aplikim për masën e fundit, pra për investimet në efiçiencë të ndërtesave shumë-banesore të destinuara për banim social.

Këto masa kanë për qëllim të mbrojnë qytetarët dhe bizneset nga ndikimi i krizës energjetike evropiane duke rritur kursimin e ulur efiçiencën, me fokus të veçantë tek qytetarët në nevojë.