Përurohen tunelet 6 dhe 7 dhe rihapet linja hekurudhore Hani i Elezit – Fushë Kosovë

Hani i Elezit, 04.11.2023 – Në Han të Elezit sot është mbajtur ceremonia e përurimit të tuneleve 6 dhe 7 dhe është rihapur linja hekurudhore Hani i Elezit – Fushë Kosovë.

Në ceremoninë e organizuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Infrakos-i, kanë marrë pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello de Riu, shefi për bashkëpunim nga Zyra e BE-së në Kosovë, Johannes Stenbaek Madsen, shefi i BERZH-it, Maslichenko Sergiy dhe kryeshefi i Sh.A. Infrakos, Naser Krasniqi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ka 13 vjet që ka nisur rehabilitimi i Linjës 10, projekt i përgjithshëm parasheh 13 ura të reja dhe 7 tunele të rindërtuara sipas standardeve më të larta evropiane të transportit hekurudhor.

Ai shprehu mirënjohje për Bashkimin Evropian, Bankën Evropiane për Investim dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për mbështetjen e financimit dhe rehabilitimit të kësaj linje hekurudhore, e cila do t’i sjellë qytetarët e Kosovës edhe më pranë Bashkimit Evropian.

“Për vite me radhë ky projekt u përballë me sfidat dhe pengesa të shumta. Ato po tejkalohen falë vendosmërisë së drejtuesve, inxhinierëve dhe punëtorëve të Hekurudhave të Kosovës — ndërmarrjes publike Infrakos, Ministrisë sonë të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministrisë së Ekonomisë, nën ombrellën e të cilës është ndërmarrja publike Infrakos, dhe Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se krahas Rehabilitimt të Linjës 10, me Republikën e Shqipërisë tashmë kemi lidhur marrëveshjen e bashkëpunimit për të ndër­tuar hekurudhën Prishtinë-Durrës, ku pastaj synohet ndërtimi i portit të thatë që kthen kryeqytetin e Kosovës në qendër të rëndësishme të tregtisë.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se patëm arsye të dyfishtë t’i gëzohemi këtij përurimi, në njërën anë, po ndërtojmë infrastrukturën e nevojshme për zhvillimin ekonomik të vendit, në anën tjetër, po kremtojmë punën e Ndërmarrjes Publike Infrastruktura e Hekurudhave të Kosovës – Infrakos, të cilën e mbikëqyrim në emër të Republikës.

Ministrja Rzvanolli theksoi se përtej përkrahjes që kemi dhënë deri më sot, së bashku me Ministrinë e Infrastrukturës, jemi duke finalizuar marrëveshjen kornizë për financimin e infrastrukturës hekurudhore për 5 vitet e ardhshme dhe kjo do të përcaktojë detyrimet e Qeverisë për të mbështetur operacionet dhe investimet kapitale në hekurudha moderne dhe të sigurta në Republikën tonë.

“Falënderoj Bordin e Drejtorëve dhe menaxhmentin e lartë të Ndërmarrjes Publike Infrastruktura e Hekurudhave të Kosovës – Infrakos për përkushtimin e tyre për efikasitetin dhe efiçiencën e operimeve, për rritjen e të hyrave për 6 muaj mbi 23% dhe arkëtimin e borxheve për mbi 34%. Falënderoj Bashkimin Evropian, Bankën Evropiane për Zhvillim dhe Bankën Evropiane për Investime, për mbështetjen e vazhdueshme në investimet kapitale”, tha më tej Rizvanolli.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu foli për rëndësinë që ka në zhvillimin ekonomik rikthimi i linjës hekurudhore që lidh Kosovën përmes Shkupit me portin e Selanikut, ndërsa hekurudha nga pjesa veriore e Kosovës, e lidh vendin tonë me shtetet e Bashkimit Evropian.

Ai theksoi se përveç rehabilitimit të rrjetit hekurudhor në territorin e Kosovës, një rëndësi të veçantë do të ketë ndërtimi i hekurudhës që Kosovën e lidh me portin e Durrësit, duke mundësuar që mallrat të arrijnë në Kosovë përmes transportit më të lirë.

Investimi i rehabilitimit të rrjetit hekurudhor dhe tuneleve, është investim me mbështetje nga Bashkimi Evropian, Banka Evropiane për Zhvillim dhe Banka Evropiane për Investime.