Përfaqësuesve të Kompanisë MASDAR u prezantohen mundësitë e investimit në energjinë e ripërtëritshme

Prishtinë, 08.03.2024 – Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, kanë pritur drejtorin për zhvillim të biznesit të Kompanisë MASDAR nga Abu Dhabi, Ahmed Al Aëadi dhe menaxherin e lartë për zhvillim, Serkan Atta.

Kryeministri Kurti dhe Ministrja Rizvanolli prezantuan mundësitë e investimit në Kosovë në ndërtimin e kapaciteteve të reja të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, përfshirë ato të planifikuara përmes pakos investive, ku parashihet ndërtimi i kapaciteteve prej 950 MW të energjisë së erës, diellit si dhe kapacitete akumuluese, e të cilat pritet të kapin vlerën investive prej 1.2 miliardë euro.

Këto kapacitete kanë filluar me ankandin e parë diellor prej 100 MW, procesi i ofertimit për të cilin është përmbyllur me sukses gjatë muajit janar.

Kompania MASDAR është kompani nga Abu Dhabi, e cila është me renome botërore në fushën e energjisë së ripërtëritshme.