Nënshkruhet marrëveshja për financimin e projekteve kapitale të KRU “Bifurkacioni” Sh.A.
Prishtinë, 04.06.2026 – Ministria e Ekonomisë ka nënshkruar marrëveshjen për financimin e projekteve kapitale me Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit KRU “Bifurkacioni” Sh.A., në vlerë prej 1 milion euro, me qëllim të përmirësimit të furnizimit me ujë dhe modernizimit të infrastrukturës ujore në rajonin e Ferizajt dhe Shtërpcës.
Me këtë rast, ministrja Rizvanolli tha se marrëveshja parasheh financimin e dy projekteve të rëndësishme infrastrukturore: ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujit me kapacitet 35 litra në sekondë dhe rehabilitimin e rrjetit të ujësjellësit në komunën e Shtërpcës, në vlerë prej 520 mijë euro, si dhe ndërrimin e gypit ekzistues nga fabrika e përpunimit të ujit në Pleshinë deri në qytetin e Ferizajt, në vlerë prej 480 mijë euro.
Këto investime synojnë rritjen e sigurisë dhe cilësisë së furnizimit me ujë të pijshëm për qytetarët, reduktimin e humbjeve në rrjet, si dhe përmirësimin e qëndrueshmërisë së sistemit të ujësjellësit.
Ministria e Ekonomisë do të mbikëqyrë zbatimin e marrëveshjes përmes Njësisë për Politikat dhe Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike, ndërsa projektet do të realizohen nga KRU “Bifurkacioni” Sh.A. në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet e transparencës dhe llogaridhënies.
Ministria e Ekonomisë mbetet e përkushtuar në mbështetjen e investimeve strategjike në sektorin e ujit, me fokus përmirësimin e shërbimeve për qytetarët dhe zhvillimin e qëndrueshëm të infrastrukturës publike në të gjithë vendin.



