Miratohen në parim Projektligjet për Energjinë dhe Energjinë Elektrike

Prishtinë, 16.04.2026 – Pas votimit nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Komisioni Parlamentar për Ekonomi ka miratuar në parim:

✅️ Projektligjin për Energjinë
✅️ Projektligjin për Energjinë Elektrike

Këto ligje përbëjnë pjesë kyçe të legjislacionit nga Pako e Energjisë së Pastër, për sektor të qëndrueshëm, me energji të përballueshme.

Përmes këtyre ligjeve transpozohet pjesërisht Pakoja e Energjisë së Pastër, duke krijuar bazën për aktet nënligjore për transpozim të plotë të Direktivës 2019/944 dhe Rregullores 2019/943, duke përafruar kështu edhe më tutje harmonizimin e kornizës legjislative të Republikës së Kosovës me atë të Bashkimit Evropian.

Me miratimin e këtyre akteve, Republika e Kosovës është në rrugë të drejtë të plotësimit të kushteve për të përfituar mbi 9 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.

Përtej kësaj, këto ligje janë jetike për rritjen e konkurrencës, mbrojtjen e konsumatorëve dhe reformimin e sektorit të energjisë në Republikën e Kosovës. Me ligjet e reja, mirëqenia e qytetarit vendoset në qendër të sistemit, duke filluar nga trajtimi i Konsumatorëve të Cenueshëm si mbrojtje e atyre që kanë më së shumti nevojë, e deri te zgjedhja e Furnizuesit të Shërbimit Universal me procedurë konkurruese si mekanizëm për ofrimin e shërbimit më të mirë me kushtet më të favorshme për të gjithë qytetarët e vendit.

Ndër të tjera, përmes këtyre projektligjeve krijohet edhe baza ligjore për ruajtjen e energjisë, duke krijuar kushte të favorshme për zhvillimin e projekteve të baterive, një rrjet më stabil, investime në kapacitete gjeneruese dhe integrim në tregun rajonal e evropian të energjisë elektrike.

Ministria e Ekonomisë falënderon të gjithë ata që kanë punuar në hartimin e këtyre ligjeve, përfshirë asistencën teknike nga USAID, LuxDev dhe Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, qytetarët dhe organizatat që ofruan komente e sugjerime si dhe anëtarët e Komisionit për Ekonomi, të cilët i trajtuan këto ligje me prioritetin më të lartë dhe i përkrahën me votën e tyre.

Ministria e Ekonomisë mbetet me shpresë që këto ligje të trajtohen më tej dhe të miratohen nga Kuvendi i Republikës së Kosovës sa më parë.