Ministrja Rizvanolli vizitoi Ndërmarrjen “Hidrodrini”

Pejë, 21.02.2024 – Ministrja e Ekonomisë (ME), Artane Rizvanolli së bashku me Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, Zëvendësministrin e Ekonomisë, Getoar Mjeku dhe bashkëpunëtorë vizituan Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Hidrodrini” sh.a., Pejë.

“Hidrodrini përveç furnizimit me ujë të pijshëm për 5 komuna, është zgjeruar edhe në menaxhimin e rrjetit të kanalizimit ku zona e shërbimit tani përfshin jo vetëm Pejën, por edhe Deçanin, Junikun, Istogun dhe Klinën, duke arritur një gjatësi të shërbimit prej 584km.

Pas funksionalizimit të Impiantit për Trajtimin e Ujërave të Ndotura në Pejë në vitin 2022 nga investimi prej 22.1 milionë euro, ujërat e zeza tashmë trajtohen paraprakisht, duke ndikuar në zvogëlimin e ndotjes së lumit Lumbardh të Pejës e në parandalimin e dëmtimit të mjedisit dhe shëndetit publik.

Për të parë nga afër sistemet e reja të transmisionit të ujërave të zeza dhe impiantit të trajtimit të ujërave të zeza, në Gorazhdec të Pejës, Ministrja me bashkëpunëtorë vizituan këtë impiant ku u pritën nga kryeshefi Dri Cena, kryesuesi i bordit Jusuf Nikqi si dhe anëtarët e tjerë të bordit e menaxhmentit.

Ministrja u shpreh e kënaqur me funksionimin e kësaj ndërmarrjeje si dhe tha se nga “Hidrodrini” presim të vazhdojnë punën e mirë jo vetëm në zhvillim të ndërmarrjes mirëpo edhe në mbrojtje të mjedisit.