Ministrja Rizvanolli vizitoi Kompaninë Ericsson Nikola Tesla në Kosovë, pjesë e Ericsson Global

Prishtinë, 06.12.2023 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli se bashku me ambasadorin suedez në Kosovë, Jonas Westerlund, kanë vizituar kompaninë botërore Ericsson Nikola Tesla pjesë e Ericsson Global, krahas zbatimit të projektit të modernizimit të rrjetit në Telekomin e Kosovës.

Kontratë kjo e cila arrin vlerën prej 11 milionë euro dhe ka hapur qendrën e parë R&D jashtë Kroacisë në Kosovë, duke punësuar 12 të rinj, me plane që shumë shpejt të arrijë në 30 numri i të punësuarve, e të cilët po bashkohen në R&D me një staf global prej 1,700 punonjësish.

Gjatë vizitës në qendrën R&D të Ericsson Nikola Tesla në Kosovë, Ministrja tha se një qendër e tillë e inovacionit është dëshmi e sinergjisë mes akademisë dhe industrisë. “Partneriteti me Universitetin e Prishtinës dhe suksesi i Shkollës Verore, tregojnë përkushtimin ndaj talentëve lokal, duke ndikuar në punësimin e të rinjve”, shtoi ajo.

Ekipi prezantoi softuerin e pajisjeve procesuese të Radio Access-it, i zhvilluar në bashkëpunim me resurset kosovare. Ky softuer përdoret për implementimin e teknologjive më të avancuara celulare në operatorët kryesorë ndërkombëtare siç janë AT&T, T-Mobile, Vodafone, A1 dhe në Telekomin e Kosovës, duke përfshirë 5G dhe duke kontribuar në rritjen e kapaciteteve të shërbimeve.

Në këtë vizitë, ministrja Rizvanolli theksoi përkushtimin e qeverisë për të përkrahur dhe investuar vazhdimisht në sektorin e TIK-ut, duke përfshirë digjitalizimin dhe infrastrukturën 5G.

Në fund të takimit Rixvanolli falënderoi anëtarin e lidershipit ekzekutiv të Ericsson Nikola Tesla në Kroaci, Ante Ugrina, i cili ndau eksperiencat e tij drejt transformimit në një shoqëri digjitale dhe siguri nacionale si dhe falënderoi ekipin e Ericsson Nikola Tesla në Kosovë, veçanërisht drejtorin Besar Spahija, për mikpritjen dhe prezantimin e projekteve.

Kjo vizitë forcoi bashkëpunimin tonë drejt një Kosove digjitale dhe të fuqizuar, ndërkohë që prezenca e një gjiganti global si Ericsson është një siguri për investime të tjera në Kosovë.