Ministrja Rizvanolli takoi homologun kroat, Davor Filipoviç

Prishtinë, 27.01.2023 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka pritur në takim delegacionin e Qeverisë kroate, të udhëhequr nga Ministri për Ekonomi dhe Zhvillim të Qëndrueshëm, Davor Filipoviç dhe ambasadorja kroate në Kosovë, Danijela Barisiç.

Ministrja Rizvanolli ka theksuar se intensifikimi i marrëdhënieve bilaterale dhe forcimi i bashkëpunimit ekonomik me shtetet mike si Kroacia, është tejet i rëndësishëm.

Gjatë takimit është diskutuar rreth mundësisë së investimeve në Republikën e Kosovës, veçanërisht në fushën e energjisë dhe TIK-ut, si dhe kemi këmbyer përvojat në përballje me krizën energjetike dhe inflacionin.

Ministrja Rizvanolli e ka uruar delegacionin kroat për hyrjen e Kroacisë në Eurozonë dhe Shengen, synim ky që edhe Republika e Kosovës synon ta arrijë në një të ardhme të afërt.