Ministrja Rizvanolli se bashku me zëvendësministrat e ME-së vizituan liqenin e Ujmanit

Prishtinë, 13.02.2024 – Ministrja e Ekonomisë (ME), Artane Rizvanolli e shoqëruar nga dy zëvendësministrat e ME-së, Getoar Mjeku dhe Nenad Stanojevič vizituan Liqenin e Ujmanit.

Rizvanolli dhe zëvendësministrat u mirëpritën nga Kryeshefi Ekzekutiv i Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, Faruk Mujka ku diskutuan për performancën e ndërmarrjes, sigurinë e digës dhe mundësitë për investime në Hidrocentral dhe përgjatë kanalit.

I pari i Ndërmarrjes “Ibër Lepenci” tha se janë vendosur pajisjet për matjen e lëvizjeve seizmike dhe për sigurinë e digës, e po punohet edhe në vendosjen e sensorëve në mënyrë që nivelet e ujit të kontrollohen edhe nga dhoma e kontrollit në Shkabaj. Niveli i rrjedhjeve në trupin e digës dhe stabiliteti i digës aktualisht kontrollohen nga galeria e cila gjendet në 90 metra thellësi.

Ai po ashtu njoftoi Ministren Rizvanolli se nivelet e ujit në digën e liqenit të Ujmanit aktualisht janë ndër më të lartat me 303 milionë metra kub, ndërsa me sasinë e ujit 5 metra nën maksimum, ajo qëndron stabile ku punojnë 21 punëtorë.

Ndërmarrja “Ibër Lepenci” e cila menaxhon këtë digë, në vitin 2023 ka siguruar të hyra në vlerë prej 10 milionë euro. Rritje të lartë ka pasur edhe prodhimi i energjisë elektrike nga Hidrocentrali e që gjatë vitit 2023 ka shënuar rekord ku janë prodhuar 146 mijë megavatorë energji elektrike, që shënon rritje prej 95% krahasuar nga viti paraprak.

Gjatë vizitës Ministrja Rizvanolli dhe dy zëvendësministrat takuan edhe patrollën e policisë tek diga e vogël kompensuese, një patrollë profesionale e multi-etnike që me zell e përkushtim patrullonin për sigurinë e të gjithë qytetarëve.