Ministrja Rizvanolli priti në takim Ambasadorin e Sllovenisë, diskutuan zgjerimin e partneritetit ekonomik
Prishtinë, 4 nëntor 2026 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, priti sot në një takim kurtoazie ambasadorin e Republikës së Sllovenisë në Kosovë, Borut Blaj, me të cilin diskutoi për avancimin e bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy vendeve.
Ambasadori i uroi suksese ministres Rizvanolli në mandatin e saj dhe rikonfirmoi përkushtimin e Sllovenisë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me Kosovën. Ai theksoi se funksionalizimi i plotë i institucioneve dhe stabiliteti politik krijojnë kushte të favorshme për avancimin e nismave të përbashkëta dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik.
Gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm, veçanërisht në fushën e tregtisë, si dhe u diskutuan mundësitë për zgjerimin e tij në sektorë të tjerë, veçanërisht në energji.
Bashkëbiseduesit diskutuan gjithashtu për organizimin e edicionit të dytë të “Slovenia-Kosovo Business Day”, i cili do të mbahet në fund të muajit nëntor. Kjo ngjarje pritet të sjellë në Kosovë përfaqësues të kompanive sllovene dhe të krijojë mundësi të reja bashkëpunimi në fusha ku marrëdhëniet ekonomike ndërmjet dy vendeve janë më të zhvilluara, përfshirë bujqësinë, teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, tregtinë, mjekësinë dhe energjinë.
Ministrja Rizvanolli falënderoi ambasadorin për angazhimin e tij në forcimin e lidhjeve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë. Ajo e njoftoi atë për zhvillimet më të fundit në sektorin e energjisë, përfshirë ankandet që janë duke u zhvilluar për kapacitetet e reja në energji të ripërtërishme.
Me këtë rast, ministrja Rizvanolli ftoi kompanitë sllovene të marrin pjesë në ankandet e ardhshme, duke theksuar se Kosova po krijon mundësi të reja investimi në sektorin e energjisë së pastër dhe se ekspertiza e kompanive sllovene do të ishte e mirëpritur në këto procese.


