Ministrja Rizvanolli priti ambasadorin e ri të Francës, diskutuan thellimin e bashkëpunimit ekonomik
Prishtinë, 2 nëntor 2026 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, javën që shkoi ka pritur në takim kurtoazie ambasadorin e ri të Francës në Kosovë, Jean-François Huchet, me të cilin diskutoi për avancimin e bashkëpunimit bilateral, me theks në energji, tregti dhe investime.
Ambasadori e uroi ministren Rizvanolli për fillimin e mandatit dhe vlerësoi rëndësinë e stabilitetit politik për avancimin e projekteve dhe prioriteteve të përbashkëta. Ai theksoi se forcimi i marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare dhe nxitja e investimeve do të jenë në fokus të angazhimit të tij në Kosovë.
Ministrja Rizvanolli mirëpriti këtë orientim dhe shprehu gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin me Francën në fushat me interes të ndërsjellë.
Duke prezantuar prioritetet e Ministrisë së Ekonomisë në fillim të mandatit, ministrja Rizvanolli veçoi punën për ankandin e radhës për energji nga era, i cili synohet të hapet në muajt në vijim, duke theksuar përshtatshmërinë e këtij burimi me profilin e konsumit të energjisë në Kosovë.
Prioritete të tjera të diskutuara përfshinë ndërtimin e sistemeve të reja të ngrohjes qendrore, rritjen e efiçiencës së energjisë në ndërtesat shumëbanesore, zhvillimin e sektorit minerar dhe shqyrtimin e mundësive për gazifikimin e thëngjillit.
Ambasadori shprehu gatishmërinë e Ambasadës për të shpërndarë informacionin mbi projektet dhe mundësitë e ardhshme për investime, përfshirë ankandin e radhës për energji nga era, me qëllim nxitjen e interesimit dhe pjesëmarrjes së kompanive franceze.


