Ministrja Rizvanolli pret në takim Ambasadorin e ri të Francës, Olivier Guérot

Prishtinë, 28.10. 2022 – Ministrja e Ekonomisë së Republikës së Kosovës, Artane Rizvanolli ka pritur në takim Ambasadorin e ri të Francës në Kosovë, Olivier Guérot.

Gjatë këtij takimi, Ministrja Rizvanolli dhe Ambasadori Guérot kanë diskutuar rreth bashkëpunimit mes Republikës së Kosovës dhe Francës, veçanërisht për fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, si dhe rreth mundësive konkrete e potencialit për ndërtim të hapësirave të reja të bashkëpunimit për investime direkte afatgjata.

Tutje është diskutuar rreth rritjes së prezencës së Francës në Kosovë përmes shkëmbimit të përvojave dhe njohurive të ekspertëve nga të dy vendet. Kjo që mund të lehtësojë kalimin e sfidave në procese të ndryshme, si dhe të nxisë zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm.

Ministrja i ka prezantuar Ambasadorit prioritetet e Ministrisë së Ekonomisë në fushën e burimeve të ripërtritshme të energjisë, menaxhimin e krizës së energjisë, si dhe punën në zhvillimin e sektorit të TIK-ut.