Ministrja Rizvanolli merr pjesë në përfundimin e masave të efiçiencës së energjisë në Gjakovë

Prishtinë, 18.12.2023 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli sot vizitoi Shkollën e Mesme e Ulët “Fehmi Agani” në Gjakovë për të parë nga afër realizimin e punimeve në kuadër të projekteve nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE).

Me afro gjysmë milionë euro investim, shkolla “Fehmi Agani” në Gjakovë do të shpenzojë 78% më pak energji e komfori në këtë shkollë tashmë është rritur.

Mbi 700 nxënës, mësimdhënës e punonjës të shkollës “Fehmi Agani” tash kanë kushte më të mira të mësimnxënies e mësimdhënies falë investimeve në efiçiencë të energjisë, të cilat përfshijnë:

Termoizolimin e jashtëm, zëvendësimin e dritareve dhe dyerve të vjetra me ato më të reja dhe efiçiente, ndërtimin dhe izolimin e çatisë së re, instalimin e njehsorëve të energjisë termike si dhe zëvendësimi i ndriçuesve të vjetër me të reja LED.

Para këtyre investimeve, çatia ka pikuar e dimrit në klasë ka qenë shumë ftohtë me ç’rast, drejtoresha, mësimdhënësit dhe nxënësit janë të lumtur që kushtet janë përmirësuar dukshëm dhe e tërë puna ka përfunduar pa humbur asnjë orë mësim.

Nga marsi i vitit të kaluar, FKEE ka realizuar 12 milionë euro investime në efiçiencë të objekteve publike, nga të cilat 70 janë përfunduar e 13 janë në zhvillim e sipër.

Për të mundësuar projekte të tilla, javën e kaluar Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë edhe 5 milionë euro të tjera për të vazhduar punën e shkëlqyer.

Mirënjohje dhe falënderime për FKEE-në për punën e shkëlqyeshme në realizimin e këtyre projekteve si vazhdimsi e investimeve në 22 komuna, si dhe Bashkimin Evropoian në Kosovë e Bankën Botërore nē Kosovo për mbështetjen e tyre!

Gjatë kësaj vizite ministrja Rizvanolli ishte e shoqëruar edhe nga drejtori Ekzekutiv i Fondit për Efiçiencë të Energjisë, Driton Hetemi, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Alessandro Bianciardi, përfaqësuesja e Bankës Botërore, Elene Imnadze  dhe nga Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini.