Ministrja Rizvanolli merr pjesë në ceremoninë e ndarjes së 10 bursave nga KOSTT për vajzat e FIEK

Prishtinë, 16.03.2024 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar nga KOSTT për ndarjen e 10 bursave për vajzat që studiojnë në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK).


Përveç ministres Rizvanolli të pranishëm në këtë ceremoni ishin Evetar Zeqiri, kryeshef ekzekutiv i KOSTT-it, Ajrina Gashi-Hamdiu, anëtare e Bordit të Drejtorëve të KOSTT-it,  dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK), Isak Shabani si dhe përfaqësueset e organizatës Woman in Energy and Mining,.

 

Rizvanolli derisa foli për rëndësinë e shkollimit të vajzave, si shtyllë e emancipimit të shoqërisë përgëzoi studentet të cilat i kanë përmbushë kriteret e kërkuara arsimore për të fituar bursën nga KOSTT dhe tha se përkrahja e kuadrove në fushën e energjetikës e sidomos e vajzave është një kontribut i çmueshëm që KOSTT po jep në përkrahje të vajzave në shkollim dhe avancim.

 

Ndër të tjera të pranishmit u zotuan se edhe në të ardhmen do të vijojnë të punojnë për avancimin e vajzave, në ngritjen e kapaciteteve të denja për kërkesat dhe mirëpresin arritjen e mundësive të barabarta të prosperimit në aspektin profesional për vajzat dhe gratë në Kosovë.