Ministrja Rizvanolli ka vizituar Kompaninë për Menaxhimin e Deponive

Prishtinë, 26.01.2024 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka vizituar Kompaninë për Menaxhimin e Deponive (KMDK), me ç’rast është pritur nga Kryeshefi i kësaj ndërmarrje Dardan Velija si dhe nga stafi udhëheqës i saj.

Ministrja Rizvanolli u shpreh e kënaqur me punën e mirë që është duke u bërë në këtë ndërmarrje, e cila është në rrugë drejt zhvillimit të qëndrueshëm e ofrimit të shërbimeve të reja e inovative.

“Nga një histori sfiduese dhe pa investime që nga viti 2008, tani të hyrat janë rritur ndjeshëm ndërsa shpenzimet janë zvogëluar dhe fitimi neto për vitin 2023 ka arritur mbi 700 mijë euro. Andaj duke e parë këtë progres sot po nënshkruajmë vendimin për themelimin e grupit punues për përgatitjen e termave të referencës për konsulencën në përgatitjen e studimit të fizibilitetit për pikën e ndarjes së mbeturinave në deponinë sanitare të Gjilanit”, tha ministrja Rizvanolli.

Ajo poashtu falënderoi ekipin e menaxhimit të deponive si dhe Dr. Ludwg Streff, udhëheqës i ekipit të masave zbatuese për planfikimin e deponive të reja dhe mbylljes së deponive ekzistuese.

Nga aty e para e ME-së i ftoi të gjithë profesionistët të aplikojnë në pozitën e hapur për Drejtor të Bordit të KMDK-së, e cila është e hapur deri më 20 shkurt 2024 dhe shtoi se me vullnet për punë mund të zhvillojmë edhe më shumë këtë ndërmarrje për t’u shërbyer sa më mirë qytetarëve.