Ministrja Rizvanolli: Integrimi i tregjeve me BE-në kyç për të rritur sigurinë e furnizimit me energji elektrike

Prishtinë, 18 dhjetor 2023 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka marrë pjesë në takimin e 21-të të Këshillit Ministror të organizuar nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vienë e udhëhequr nga Komisioni Evropian për Energji (DG ENER).

Gjatë takimit është diskutuar procesi i transpozimit të Pakos së Energjisë Elektrike me qëllim të krijimit të kushteve ligjore dhe rregullatore drejt bashkimit të tregut të energjisë elektrike me tregun pan-Evropian.

Në takim Ministrja theksoi se integrimi i tregjeve një ditë-para dhe brenda-ditës me tregun e BE-së është kyçe për të rritur sigurinë e furnizimit me energji elektrike duke mundësuar edhe integrimin më të lehtë dhe më efiçient të burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe është e përkushtuar që të angazhohet në krijimin e parakushteve përmes transpozimit të Direktivave dhe Rregulloreve të BE-së.

Në takim janë trajtuar disa çështje të rëndësishme dhe janë arritur disa vendime dhe konkluza të rëndësishme:

Vendimi për kohëzgjatjen e Traktatit të Komunitetit të Energjisë edhe për 10 vite shtesë.
Vendimi për inkorporimin e Rregullores TEN-E në kornizën e Komunitetit të Energjisë me fokus të veçantë tek integrimi i tregut të energjisë elektrike, siguria e furnizimit, dhe objektivave që lidhen me dekarbonizim.
Është konfirmuar vullneti i Kosovës që të mbështesë masat kufizuese të BE-së të vendosura ndaj Federatës Ruse dhe Bjellorusisë.

Tutje në takim nga Sekretariati është prezantuar Raporti Vjetor i Zbatimit për Palët Kontraktuese, dhe udhërrëfyesi për njohjen e Garancive të Origjinës të lëshuara nga Palët Kontraktuese në BE.