Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli vizitoi minatorët e lënduar

Mitrovicë, 17.01.2024 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e shoqëruar nga anëtarët e Bordit të Ndërmarrjes “Trepça”, sonte i ka vizituar minatorët e lënduar të kësaj ndërmarrje në Spitalin Rajonal të Mitrovicës.

Gjatë vizitës së minatorëve në Spitalin e Mitrovicës, Ministrja Rizvanolli të lënduarve u ka ofruar mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës në çfarë do forme të mundshme dhe u ka uruar shërim të plotë e të shpejtë.

Sot rreth orës 13:00, ka ndodhur një incident në minierën e Trepçës, ku gjatë mirëmbajtjes së gypave ka ndodhur rrjedhje e acidit klorhidrik nga bombola, me ç’rast janë lënduar 13 punëtorë të Minierës së Stantërgut.

Pas incidentit, minatorët e lënduar kanë marrë trajtimin mjekësor në Spitalin e Mitrovicës dhe jeta e tyre nuk është në rrezik. 2 minatorë të lënduar janë ende nën kujdesin mjekësor, kurse 11 minatorë pas marrjes së trajtimit mjekësor janë kthyer në shtëpitë e tyre.