Ministria e Ekonomisë mirëpriti delegacionet e Komunitetit të Energjisë me një mbrëmje kulturore

Prishtinë, 1 korrik 2026 – Në kuadër të aktiviteteve të Këshillit Informal Ministror 2026 të Komunitetit të Energjisë, Ministria e Ekonomisë organizoi mbrëmjen kulturore të mirëseardhjes për delegacionet pjesëmarrëse në Fshatin Etno-Kulturor Kukaj në Prishtinë.

Mbrëmja mblodhi përfaqësues të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, institucioneve të Bashkimit Evropian, ambasadorë të akredituar në Kosovë, delegacione nga vendet anëtare të Komunitetit të Energjisë, si dhe partnerë ndërkombëtarë dhe aktorë kryesorë të sektorit të energjisë në Kosovë, të cilët prej vitesh kontribuojnë në zhvillimin dhe transformimin e sektorit energjetik.
Në fjalën e saj të mirëseardhjes, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, u uroi mirëseardhje të gjithë të pranishmëve, duke theksuar se “Sonte jemi në Kosovë sepse sivjet kemi nderin dhe përgjegjësinë e kryesimit të Komunitetit të Energjisë. Muzeu, shfaqja artistike, muzika, ekspozita dhe mikpritja që pamë sonte në Kukaj na dhanë një përjetim autentik të traditës, historisë e vlerave e popullit tonë për të cilat jemi aq krenarë.”
Mbrëmja u organizua për t’u ofruar mysafirëve një përjetim autentik të kulturës, traditës dhe mikpritjes kosovare, duke krijuar një hapësirë për dialog, rrjetëzim dhe forcimin e partneriteteve ndërmjet institucioneve dhe akterëve të sektorit të energjisë.
Kjo mbrëmje shënoi fillimin e aktiviteteve zyrtare të Këshillit Informal Ministror 2026 të Komunitetit të Energjisë, i cili do të mbahet më 2 korrik në Prishtinë.