Ministria e Ekonomisë do të shpallë ankandin e parë konkurrues për energji elektrike prej ere me kapacitet prej 150 MW në vitin 2024

Prishtinë, 16.10.2023 – Qeveria e Kosovës ka bërë përparim të shpejtë dhe të jashtëzakonshëm në avancimin e agjendës për politikën klimatike. Shpallja e ankandit të parë pilot për prodhimin e energjisë solare prej 100 MW në muajin maj dhe dërgimi në Kuvendin e Republikës së Kosovës i Ligjit për Burimet e Ripërtërishme të Energjisë në fillim të muajit tetorit po i hap rrugën rritjes së prodhimit të energjisë së pastër përmes përdorimit të një procesi konkurrues, të hapur dhe transparent.

Bazuar në mësimet e nxjerra nga ankandi i parë, Ministria e Ekonomisë ka vendosur të lansojë një ankand tjetër për 150 MW në vitin 2024 me qëllim të tërheqjes së investimeve private për prodhimin e energjisë elektrike prej ere. Zbatimi i këtij veprimi do t’i shtohet veprimeve të tjera në fushën e zbutjes dhe përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike që Qeveria e Kosovës ka zbatuar në kontekstin e Mjetit të FMN-së për Rezistencën dhe Qëndrueshmërinë (RSF). Ky ankand do të jetë i pari i këtij lloji në Kosovë dhe do ta vendosë vendin tonë në ballë të rajonit sa i përket tërheqjes së kapitalit privat për të mbështetur tranzicionin e gjelbër. Ankandi do të shërbejë si katalizator për financim nga zhvilluesit privatë nëpërmjet një procesi konkurrues të tenderimit. Bashkëfinancimi i qeverisë do të ulë rreziqet, ndërkohë që i përshpejton investimet e sektorit privat, i cili gjithashtu do të sigurojë njohuritë më të fundit për ndërtimin dhe operimin e këtij projekti. Përveç kësaj, ky ankand do të ofrojë një sinjal të fuqishëm për investitorët përkitazi me synimin e Kosovës për të vazhduar me zhvillimin e ankandeve të ardhshme për të shtuar prodhimin e energjisë elektrike të gjelbër.

Sikurse me ankandin pilot të shpallur në fillim të këtij viti, Ministria e Ekonomisë do të punojë së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, përfshirë USAID-in, për të siguruar që projekti të përmbyllet me sukses dhe me kohë. Kjo do të kontribuojë në uljen e varësisë nga lëndët djegëse fosile dhe në sigurimin e furnizimit të përballueshëm dhe të besueshëm me energji elektrike për qytetarët si dhe do të kontribuojë në promovimin e një sektori të qëndrueshëm dhe ekonomikisht të realizueshëm të energjisë.