Mbi 4 milionë euro për projekte të ujësjellësit, përkrahje shtesë për investimet në hekurudha]
Prishtinë, 04.02.2025 – Komisioni i Ministrave për Ndërmarrjet Publike, i kryesuar nga zëvendësministri i Ministrisë së Ekonomisë, Getoar Mjeku ka miratuar projektet kapitale të ujësjellësit që do të financohen nga buxheti i Ministrisë së Ekonomisë:
KRU Prishtina përkrahet me 397 mijë euro për rehabilitimin e rrjetit në fshatin Grabovc të Fushë-Kosovës. Qeveria e Republikës tashmë ka përkrahur ndërtimin e ujësjellësit në komunën e Fushë-Kosovës me 3,3 milionë euro.
KRU Prishtina do të vazhdojë ndërtimin e rrjetit në fshatin Herticë, për çka po mbështetet me 250 mijë euro.
KRU Prishtina gjithashtu do të rehabilitojë rrjetin e ujësjellësit në rrugët Afrim Zhitia, Ilir Konushevci dhe Brigadat në Podujevë, për çka Ministria e Ekonomisë do të japë me 194 mijë euro.
KRU Mitrovica përfiton 500 mijë euro për investime kapitale në rajonin e Mitrovicës. Projektet përfshijnë digjitalizimin, makineritë e pune dhe sigurinë e rezervuarëve dhe stacioneve të pompimit në rajonit e Mitrovicës. Ndërmarrja do të vendosë gjithashtu pompa të reja dhe gypin e ri Rekë–Tunel i Parë, për furnizimin e vendbanimeve Tunel i Parë, Trepçë-Stantërg e Rahovë, dhe në të ardhmen Rashan, Tërstenë e Mazhiq të komunës së Mitrovicës.
KRU Hidrodrini përkrahet me 250 mijë euro për investime në trajtimin e ujërave të ndotura në rajonin e Pejës.
KRU Gjakova do të rehabilitojë rrjetin për fshatrat Dol, Lipovec e Gërçinë të Hasit të Gjakovës. Bashkëfinancimi nga Ministria e Ekonomisë kap vlerën 300 mijë euro.
KRU Hidroregjioni Jugor përfiton 145 mijë euro për të përmbyllur ujësjellësin në Gërnçarë të Prizrenit, të banuar nga komuniteti boshnjak. Financimi për tri fazat e projektit tejkalon 300 mijë euro.
KRU Gjakova përkrahet me 500 mijë euro për fazën përfundimtare të rrjetit të ujësjellësit për vendbanimet Krushë e Madhe, Piranë, Zojz, Medvec dhe Mamushë. Fazën e parë e kemi mbështetur tashmë me 700 mijë euro. Ky investim u shërben mbi 5 mijë banorëve, kryesisht nga komuniteti turk.
KRU Bifurkacioni po ndërton impiant të ri të ujit të pijshëm në Pleshinë. Me 250 litra për sekond, kjo fabrikë do të sigurojë furnizim të rregullt për Ferizajn. Ministria e e Ekonomisë sivjet jep 1 milion euro për fazën e parë të projektit, që arrin në 4 milionë euro deri më 2027.
KRU Hidromorava do të ndërtojë rrjetin e ujësjellësit në komunën e Kllokotit, që përfshin vendbanimet Kllokot, Mogillë, Vërbovc dhe Gërnçar. Financimi sivjet kap vlerën 500 mijë euro, ndërsa projekti në tërësi do të kushtojë mbi 1,6 milionë euro.
Komisioni ka autorizuar Ministrinë e Ekonomisë të financojë këto projekte me mbi 4 milionë euro gjatë vitit 2025.
Komisioni gjithashtu ka ndarë rreth 700 mijë euro për riparimin e lokomotivave dhe trenave dhe për mirëmbajtjen e infrastrukturës hekurudhore. Këto investime kryhen përmes dy ndërmarrjeve hekurudhore Trainkos dhe Infrakos.
Pas miratimit të projekteve, zëvendësministri Getoar Mjeku dhe drejtori i Njësisë për Politikat dhe Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike, Valon Prebreza, kanë nënshkruar marrëveshjet e financimin me ndërmarrjet përkatëse.