Mbahet Konferenca VIII Ndërkombëtare Multidisiplinare për Gjeoshkencat në Mitrovicë

Mitrovicë, 23 tetor 2026 – Është mbajtur Konferenca VIII Ndërkombëtare Multidisiplinare për Gjeoshkencat, në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, me pjesëmarrjen e studiuesve, ekspertëve, studentëve dhe përfaqësuesve të industrisë minerare nga Kosova dhe vende të ndryshme të botës.

Konferenca dyditore u organizua nga Ministria e Ekonomisë (ME), Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë dhe Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), me qëllim të shkëmbimit të njohurive shkencore, prezantimit të hulumtimeve dhe avancimit të bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e gjeoshkencave.

Në hapje të konferencës, zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku theksoi rëndësinë strategjike të sektorit minerar për Kosovën, ekonominë e saj dhe vendet aleate, duke vënë në pah potencialin e pasurive natyrore dhe resurseve njerëzore të vendit. Ai theksoi se shfrytëzimi i qëndrueshëm i këtyre pasurive dhe avancimi i sektorit minerar kërkojnë angazhim të vazhdueshëm institucional, zhvillim të njohurive shkencore dhe bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë.

Zëvendësministri Mjeku bëri të ditur se Ministria e Ekonomisë është duke punuar në disa drejtime për reformimin dhe zhvillimin e sektorit minerar. Ndër prioritetet kryesore përmendi hartimin e Strategjisë së Minierave, reformën institucionale dhe racionalizimin e agjencive, me qëllim të lehtësimit të zbatimit të politikave qeveritare. Po ashtu, theksoi rëndësinë e vlerësimit dhe përditësimit të të dhënave për burimet natyrore, në përputhje me nevojat e ekonomisë vendore dhe zhvillimet e tregut global.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe zhvillimit të Ndërmarrjes “Trepça”, për të cilën zëvendësministri Mjeku theksoi rëndësinë e krijimit të partneriteti me kompani me renome ndërkombëtare. Investimet e pritshme dhe zhvillimi i mëtejshëm i kësaj ndërmarrjeje u vlerësuan si mundësi të rëndësishme për fuqizimin e sektorit minerar dhe kontributin e tij në zhvillimin ekonomik të vendit.

Gjatë ditës së parë, studiuesit e fushës së gjeoshkencave prezantuan kumtesat dhe rezultatet e hulumtimeve të tyre, duke krijuar mundësi për diskutim profesional dhe shkëmbim të përvojave shkencore. Ndërkaq, në ditën e dytë, pjesëmarrësit zhvilluan vizita në lokacione të ndryshme të Kosovës, të ndërlidhura me fushën e minierave dhe mineraleve.

Konferenca VIII Ndërkombëtare Multidisiplinare për Gjeoshkencat përbën një mundësi të rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit shkencor dhe profesional, promovimin e potencialit minerar të Kosovës dhe avancimin e njohurive në fushën e gjeoshkencave.