Mbahen konsultime publike për Agjendën Digjitale të Kosovës 2030

Prishtinë, 13.06.2023 – Para dhjetëra profesionistëve të Teknologjisë Informative dhe Komunikuese, Ministrja e Ekonomisë (ME), Artane Rizvanolli me përfaqësues të ME-së kanë paraqitur Agjendën Digjitale të Kosovës 2030.

Agjenda Digjitale e Kosovës 2030 është strategji qeveritare ndër-sektoriale që përcakton politikën dhe prioritetet e veçanta të Kosovës në kontekstin e transformimit të vazhdueshëm digjital të ekonomisë dhe shoqërisë, e ndikuar nga teknologjitë inovative dhe trendët digjitale botërore.

Ngjarja ka filluar me fjalimet e Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe drejtorit të Departamentit të Post-Telekomunikacionit, Teknologjisë Informative dhe Komunikuese (DPTTIK), Agim Kukaj.

Gjatë fjalës së saj ministrja Rizvanolli shpalosi vizionin e Agjendës Digjitale, ku theksoi se Kosova deri në vitin 2030 synon të bëhet një vend modern në botën digjitale, me ekonomi të avancuar digjitale në tërë rajonin ku qytetarët do të mund të përdorin Teknologjinë Informative dhe shërbimet elektronike pavarësisht prejardhjes, përkatësisë etnike, apo kudo ku jetojnë në territorin e Kosovës. Ajo tha se, ashtu siç është bota e teknologjisë dhe digjitalizimit fleksibile, ashtu duhet të jetë fluide dhe fleksibile edhe Agjenda Digjitale, e cila duhet t’i përshtatet nevojave të momentit, tregut dhe të qytetarëve, prandaj edhe është e shkruar në atë mënyrë që tu përshtatet objektivave të përgjithshme dhe specifike gjatë realizimit të saj. Prandaj kontributi juaj, i profesionistëve është shumë i rëndësishëm në mënyrë që realizimi i saj të jetë në shërbim të objektivave të përgjithshme dhe specifike të sektorit.

Përdorimi i Teknologjisë Informative dhe Komunikuese (TIK) në procese administrative, tatimore dhe biznesore do të ndihmojë në uljen e kostove operacionale, në shtimin e efikasitetit dhe produktivitetit, duke u mundësuar kompanive publike dhe private të kanalizojnë burimet në investime në fusha të tjera.

Ministrja Rizvanolli shpalosi shkurtimisht objektivat e Agjendës Digjitale, ku tha se janë caktuar 5 objektiva strategjike, ku objektiva e parë është forcimi i ekosistemit të sigurisë kibernetike, që tanimë është i domosdoshëm për themelin e funksionimit të sigurt dhe të besueshëm të infrastrukturës dhe shërbimeve të shoqërisë digjitale. Kjo trajtohet për herë të parë në Kosovë me një prioritet të tillë edhe pse Agjenda është në proces të zhvillimit të saj, megjithatë kjo objektivë reflektohet edhe te projektet dhe proceset që janë duke u zhvilluar paralelisht përfshirë investimet e Telekomit të Kosovës, i cili për herë të parë planifikon të investojë 1 milion euro në siguri kibernetike. Gjithashtu është edhe themelimi i CERT-it (Computer Emergency Response Team) për energji, i cili është paraparë në Strategjinë e Energjisë 2022-2031 për herë të parë.

Tutje objektivi i dytë i Agjendës Digjitale paraqet infrastrukturën digjitale të avancuar dhe të sigurt për shërbime që synon zhvillimin e veglav/mjeteve dhe shërbimeve të TIK-ut fiks dhe mobil, për vertikalet e mençura të biznesit dhe komunikimeve të mençura dhe sigurisë publike. Pasurimi digjital i bizneseve është një nga aspektet të cilat ka nevojë për shumë punë dhe këtë synojmë të arrijmë, përfshirjen digjitale të të gjithë sektorit ekonomik, veçanërisht tek ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, shtoi Rizvanolli.

Objektivi i tretë synon digjitalizimin e shërbimeve publike në të gjitha segmentet e shërbimeve publike online, të cilat synohet të jenë të qasshme për të gjithë, përfshirë edhe personat me aftësi të kufizuara, prandaj jam e lumtur që deri më tani në shumë aktivitete, masat e politike të qeverisë veç se i kemi realizuar, ku do të veçoja skemën e subvencionimit për pajisje për ngrohje dhe i tërë procesi është menaxhuar në mënyrë elektronike, në mënyrë të besueshme dhe transparente, tha ministrja.

Objektivi i fundit është “Banorë me aftësi digjitale dhe ekosistem inovativ për Hulumtim dhe Zhvillim”, i cili parasheh transformimin e sistemit arsimor për epokën digjitale, ku ka projekte dhe iniciativa të ndryshme siç është Rrjeti Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim (KREN), në të cilin tanimë janë të lidhura të gjitha institucionet e arsimit të lartë si publike dhe private, ku në të ardhmen synohet të lidhen dhe shkollat fillore dhe të mesme, por duke punuar që të lidhen edhe bizneset, startup-et edhe institutet hulumtuese dhe të gjitha organizatat që kanë nevojë për shfrytëzim të KREN-it.

Drejtori i DPTTIK, Agim Kukaj prezantoi në detaje objektivat e Agjendës Digjitale për Kosovën 2030, ku ndër të tjera potencoi se parashihet që aktivitetet që janë paraparë duhet në përpikëri të vazhdojnë drejt vitit 2030 si destinacion final, si dhe zbatimi i agjendës paraprake.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e fushës së Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit paraqitën idetë dhe komentet e tyre për të cilat ministrja Rizvanolli dhe Drejtori Kukaj u përgjigjen dhe bashkëbiseduan me të pranishmit në mënyrë që dokumenti i Agjendës Digjitale të Kosovës 2030 të jetë sa më efektiv dhe i përdorshëm, sidomos nga sektori i TIK-ut dhe institucionet publike e private.

Në këtë ngjarje morën pjesë: Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Drejtori i DPTTIK, Agim Kukaj, Këshilltari Politik i Kryeministrit, Lulzon Jagxhiu si dhe përfaqësues nga Telekomi i Kosovës, GLPS, Zeta Corps L.L.C., UNDP, STIKK, CACTUS/RECURA, Wasabi Tech, StarLab, Ericson, Telkos, ODK, ICK, SHPIK, IpkoFoundation, PSWD/USAID, 3CIS, NGN, TIVE, Audiosolution, Nasabi Technologies, APPDEC, Kosova Net.