Kryeministri Kurti dhe Ministrja Rizvanolli vizituan Telekomin e Kosovës

Prishtinë, 29.12.2023 – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, sot e kanë vizituar Telekomin e Kosovës.

Vizita e Kryeministrit Kurti dhe Ministres Rizvanolli është realizuar me rastin e përfundimit të vitit 2023 dhe raportimit për arritjet në Telekomin e Kosovës, ku nga menaxhmenti u njoftuan për sukseset që ka shënuar kjo kompani gjatë vitit 2023.

Kryeministri Kurti tha se po festojmë këtë vit të ri, duke pa rezultate të ndjeshme në të gjitha drejtimet në Telekomin e Kosovës, ku po ashtu njoftoi se me kredinë prej 20 milionë Euro që i ka dhënë Qeveria e Republikë së Kosovës, janë bërë investime në teknologji, në centralin bërthamë të telefonisë mobile me pajisjet përcjellëse, në vendosjen e antenave shtesë në rajonin e Gjilanit dhe Ferizajt, shërbimet fikse janë shtuar në stacionet policore dhe ndërmarrjet publike, kurse në muajt e parë të vitit 2024, pritet shihen rezultate thelbësore edhe në zonën e Mitrovicës.

“Duke u nisur nga humbjet që nga viti 2015, sivjet Telekomi i Kosovës, ka arritur një fitim neto prej 5.9 milionë Euro, gjatë periudhës janar – nëntor 2023, duke vazhduar një trend rritje vit pas viti, një rritje prej 5% të hyrave, e shoqëruar me reduktim të shpenzimeve operative, tregon për një menaxhim të zgjuar”, tha mes tjerash Kryeministri Kurti.

Ndërsa, Ministrja Rizvanolli theksoi se Telekomi i Kosovës, me investimet e saj, po jep rezultate indirekte në ekonominë e vendit dhe në punësimin dhe shtoi se mbulueshmeria me rrjet është përmirësuar, duke përfshi akset kryesore rrugore, zonat e fshatrave dhe në veçanti në komunat veriore, ku deri më tani nuk kishte rrjet të Tlekomit, e që më shtrirjen e tij ndikon në përmirësimin edhe të sigurisë në këtë pjesë Kosovës.

“Jam shumë e lumtur që gjithashtu po flasim edhe për perofmancë financiare të mirë të Telekomit, jo për perofrmancën si të tillë, si një rezultat në vete, mirëpo për performancën financiare si një burim i investimeve të vazhdueshme, të cilat do të ndodhin edhe gjatë viteve në vijim. Tani përderisa po flasim ka përfunduar prokurimi edhe për stacione të reja, që do të thotë se deri në mes të vitit në të cilin po hymë, i tërë territori do te jetë i mbuluar me rrjet 4G+ dhe do të fillojë në zonat më të banuara edhe ofrimi i shërbimit 5G”, tha Ministrja Rizvanolli.