KRU “Hidromorava” do të përfitojë grant 11 milionë euro “Hidromorava” do të përfitojë grant 11 milionë euro

Prishtinë, 24.04.2023 – Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku dhe kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) “Hidromorava”, Ymer Salihu nënshkruan marrëveshjen e mirëkuptimit që përcakton përgjegjësitë dhe shfrytëzimin e mjeteve për realizimin e projektit, i cili financohet me kredi nga Banka Evropiane për Investime.

KRU “Hidromorava” nga ky projekt do të përfitojë grant 11 milionë euro për të ndërtuar impiantin e ujërave të zeza dhe për të rehabilituar kanalizimin në rajonin e Gjilanit.

Projekti do t’u shërbejë 110 mijë banorëve të qytetit të Gjilanit dhe viseve përreth, duke mbrojtur mjedisin, burimet ujore dhe shëndetin publik. Investimi i planifikuar do të ulë dukshëm sasinë e ujërave të zeza që derdhen drejtpërdrejt në lumenjtë e rajonit.

KRU “Hidromorava” është një nga shtatë ndërmarrjet rajonale të ujësjellësit dhe kanalizimit, në pronësi të Republikës së Kosovës. Ajo ka mbyllur vitin 2022 me bilanc pozitiv.​