Kosova nderon Japoninë me Pullë Postare

Prishtinë, 14.02.2024 – Në nder të 15 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike në mes Republikës së Kosovës dhe Japonisë, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli mori pjesë në shpalosjen e pullës postare e cila shënon këtë rast.

Me rastin e 15 vjetorit të marrëdhënieve të shkëlqyeshme mes dy vendeve, Ministrja Rizvanolli së bashku me Presidenten e Republikës së Kosovës, Osmani dhe Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti uruan Ambasadorin nga Japonia, Ryuta Mizuuchi shënuan këtë ditë dhe uruan ditëlindjen e Perandorit të Japonisë.

Ministrja Rizvanolli tha se sot u bashkua edhe pulla postare Kosovë – Japoni që shënon lidhjen e palëkundur mes vendeve tona. Ajo shtoi se, nga një perspektivë kulturore, pullat postare shërbejnë si vepra arti të vogla dhe ofrojnë një lidhje të dukshme me historinë dhe identitetin e një vendi.

Filatelia e Postës së Kosovës ka një kategori të veçantë – pullat postare që nderojnë mbështetjen dhe miqësinë e aleatëve ndërkombëtarë, përfundoi ajo.

Kjo pullë postare shërben si një përfaqësim i denjë i marrëdhënieve diplomatike të thella dhe qëllimeve të përbashkëta mes Kosovës dhe Japonisë.

Filatelia e Postës së Kosovës, me vënien në qarkullim postar të pullave postare “15-vjetori i marrëdhënieve diplomatike Japoni-Kosovë”, nderon Japoninë, e cila është njëra ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Republikës së Kosovës!

Me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në shkurt të vitit 2009, Republika e Kosovës në korrik të vitit 2010 hapi ambasadën në Tokio, e cila njëkohësisht ishte ambasada e parë e Kosovës në Azi.

Filatelia e Postës së Kosovës në vitin 2000 ka filluar emetimin e pullave postare, ndërsa sot numëron 264 sosh, me 649 pamje dhe vlera të ndryshme, disa prej të cilave kanë marrë çmime ndërkombëtare për përmbajtjen, pamjen dhe vlerën e tyre artistike. Kështu, ajo vazhdon t’i promovojë të gjitha ngjarjet që shënojnë zhvillimin e vendit tonë, duke falënderuar dhe nderuar të gjitha vendet mike për përkrahjen e vazhdueshme.

Ministria e Ekonomisë, përmes Departamentit për Teknologji Informative dhe Komunikuese konkretisht përmes Divizionit për Komunikime Elektronike dhe Postare ka dhënë kontributin e saj profesional në realizimin e këtyre pullave postare.