Koordinimi dhe bashkëpunimi i shkëlqyeshëm me BE-në, Rizvanolli pret në takim Maragos

Prishtinë, 22.03.2023 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli sot ka pritur në takim shefin e Njësisë për Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kosovë në Komisionin Evropian, Vassilis Maragos, të shoqëruar nga udhëheqësi për Bashkëpunim në Bashkimin Evropian, Jahnnes Madsen Stenbaek si dhe përfaqësues të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Bashkimi Evropian është partner i përkushtuar në zhvillim të sektorit të energjisë në Republikën e Kosovës, në veçanti në përballje me krizën energjetike evropiane si dhe për tranzicionin e drejtë energjetik të vendit.

Gjatë takimit, Z. Maragos falënderoi Ministren Rizvanolli për bashkëpunimin, e veçanërisht për punën e bërë në zhvillim të veprimit për pakon 75 milionëshe të Bashkimit Evropian në përballje me krizën energjetike evropiane.

Ministrja Rizvanolli ka siguruar ambasadorin që puna e përbashkët është rezultat i bashkëpunimit të shkëlqyeshëm mes ekipeve të Qeverisë së Kosovës dhe atij të Bashkimit Evropian. Tutje, ajo ka prezantuar punën e bërë në hartim e implementim të pakos emergjente të BE-së, subvencionimin e tarifave të energjisë si dhe Strategjinë e Energjisë.