Investime në hekurudha dhe ujësjellës

Prishtinë, 02.06.2023 – Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku dhe drejtori i ri i Njësisë për Politikat dhe Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike, Valon Prebreza kanë lidhur një varg marrëveshjesh për financimin e projekteve kapitale të hekurudhave dhe ujësjellësit.

Ndërmarrjet hekurudhore “Infrakos”  dhe “Trainkos” përfitojnë 844 mijë euro për të riparuar mjetet lëvizëse, për të përmirësuar sigurinë e hekurudhave, për të blerë makineri pune dhe për të përsosur sistemet e mbikëqyrjes.

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” përkrahet me 440 mijë euro, për të rehabilituar dhe për të ndërtuar rrjete të ujësjellësit dhe kanalizimit në Kishnicë të komunës së Graçanicës, në 10 fshatra të Shtimes si dhe në Bellopojë, Llugë e Orllan të Podujevës.

Kurse KRU “Hidroregjioni Jugor” mbështetet me 170 mijë euro për dy projekte të ujësjellësit në lagjen Kurrila dhe në fshatin Gërnçarë të Prizrenit.

Mbi 13 milionë euro është vlera e marrëveshjeve që deri tani ka nënshkruar Ministria e Ekonomisë për projekte të ndryshme kapitale të ndërmarrjeve publike, ndërsa pritet përkrahje shtesë dhjetëra milionëshe për investime në shërbim të qytetarëve dhe për zhvillimin ekonomik të vendit.