Inaugurohen masat e efiçiencës së energjisë në SHFMU “Abaz Ajeti” në Gjilan

Prishtinë, 07.03.2024 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka marr pjesë në inaugurimin e masave efiçiente në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Abaz Ajeti” në Gjilan, për të parë investimet që janë bërë në realizimin e punimeve në kuadër të projekteve të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE).

Ministrja Rizvanolli derisa foli për vështirësitë me të cilat janë përballur deri më tani nxënësit dhe mësimdhënësit e SHFMU “Abaz Ajeti”, e cila shtoi se efiçienca e energjisë nuk është e rëndësishme vetëm në uljen e faturave të energjisë, por është e rëndësishme për të gjithë ne si individ, por edhe si institucione, sepse me mjetet e kursyera shkollat mund të investojnë në materiale mësimore për të rritur cilësinë e arsimit.

Ajo tha se Qeveria e Republikës së Kosovës është e interesuar që efiçiencën e energjisë ta mbajë në top prioritetet në energji dhe vitin e kaluar ka ndarë rreth 5 milionë euro për FKEE-në që të mund të realizohen edhe 30 projekte të ngjashme, sepse kështu kursejmë dhe sigurohemi që ndikimi jonë ambiental të jetë më i ulët, andaj investimi në këto masa do t’ua mundësojë nxënësve që të kenë ambient më të përshtatshëm, më të ngrohtë gjatë dimrit dhe më të freskët gjatë verës.

Me rreth 340 mijë euro investim në SHFMU “Abaz Ajeti” në Gjilan, një nga investimet më mëdha që ka realizuar FKEE, përpos komforit që do të krijohet për nxënësit, mësimdhënësit dhe stafin shkollor do të kursejë rreth 70% energji, kjo fal mbështetjes financiare të Komisionit Evropian, Bankës Botërore dhe Qeverisë së Republikës se Kosovës, Fondit Kosovar për Efiçiencë të Energjisë.

Investimi në këtë shkollë përfshinë:

Termoizolimin e jashtëm;

Zëvendësimin e dritareve dhe dyerve të vjetra, me të reja, katër sezonale;

Përforcimin e çatisë;

Kalda të re të ngrohjes qendrore me pelet;

Zëvendësimin e ndriçuesve të vjetër me të rinj LED.

Përpos investimeve që janë bërë në këtë shkollë, Qeveria e Kosovës përmes Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë ka bërë investime edhe në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët  “Rexhep Elmazi” në Dhe të Bardhë me rreth 144 mijë euro, si dhe në Shkollën Fillorë të Mesme të Ulët  “Mehmet Isai” me 212 mijë euro.

Përgjatë dy viteve FKEE ka realizuar rreth 90 projekte në objekte të ndryshme publike në vlerë prej rreth 12 milionë euro, investime këto që janë bërë me përkrahjen e Bashkimin Evropian, Bankën Botërore dhe Qeverisë të Republikës së Kosovës.

Në inaugurimin e masave të efiçiencës së energjisë të pranishëm ishin Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, Drejtori Ekzekutiv i Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Driton Hetemi, përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Alessandro Bianciardi, Përfaqësuesi  i Bankës Botërore, Elene Imnadze si dhe Drejtori i Shkollës, Arsim Bejtullahu.