Funksionalizohet bursa e energjisë elektrike Kosovë – Shqipëri

Prishtinë, 04.03.2024 – Është funksionalizuar Tregu një Ditë Para për zonën ofertuese të Kosovës dhe bashkimi i tregjeve të energjisë elektrike Kosovë-Shqipëri, në kuadër të Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike – ALPEX.

Bursa Shqiptare e Energjisë – ALPEX, e cila është bërë operacionale në Shqipëri nga marsi i vitit 2023 dhe do të ndihmojë për një treg konkurrues në Shqipëri dhe Kosovë, për të gjetur energji elektrike me çmime më të favorshme.

Në ceremoninë e mbajtur sot në Prishtinë, kanë marrë pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, drejtoresha e Misionit të UASAID-it në Kosovë, Eileen Devitt, drejtori i ALPEX-it, Sokol Dishnica dhe kryeshefi i KOSTT-it, Evetar Zeqiri.

Me këtë rast, Kryeministri Albin Kurti tha se inaugurimi i ALPEX-it shënon një moment historik për sektorin energjetik të Kosovës dhe përkushtimin tonë për bashkëpunim ekonomik me Republikën e Shqipërisë.

“Në vitet e fundit kriza energjetike e ka bërë një gjë të qartë se sektori i energjisë, si në Evropë, ashtu edhe në gjithë botën ka ndryshuar rrënjësisht. Thellimi i bashkëpunimeve ndërkufitare, është një nga mënyrat më të suksesshme, për t’u përballur me vështirësitë dhe sfidat e realitete të ri në këtë sektor”, deklaroi Kryeministri Kurti.

Kryeministri Kurti po ashtu shtoi se verën, veçanërisht viteve të fundit, qytetarët dhe bizneset e Shqipërisë e kanë kaluar me energji të bollshme fal energjisë së deponuar nga Kosova, e dimrin sidomos këta të fundit qytetarët dhe bizneset e Kosovës e kanë kaluar më ngrohtë fale energjisë të marrur nga Shqipëria.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli vlerësoi se sot, përderisa përurojmë ALPEX-in, rëndësia e kësaj burse dhe funksionimit të përbashkët të tregut te energjisë elektrike është vështirë të përshkruhet me fjalë, sepse është shumëdimensionale, e ndikimet nuk janë vetëm të sotme, fuqinë e tyre do ta përjetojmë në vitet e dekadat që po vijnë.

Tutje, Rizvanolli theksoi se nga takimet e panumërta që ka zhvilluar me investitorë potencial në kapacitete të Burimeve të Ripërtëritshme (BRE) në Evropë e në Kosovë, pa përjashtim e kanë një pyetje të përbashkët: ku mund ta shes unë energjinë, një ditë para, dhe brenda ditës, për nevoja të balancimit. Pra me funksionimin e ALPEX-it, ne po përmbushim një kusht që është jetik për të tërhequr investime në sektorin tonë të energjisë.

Ajo po ashtu shtoi se në të ardhmen pasi të jetësohet bashkë-dyzimi i ALPEX-it me tregjet e Maqedonisë e Veriut e Greqinë, marrëveshje të cilat janë nënshkruar më 2023, Kosova e Shqipëria së bashku do të jenë pjesë e një blloku të rëndësishëm energjetik rajonal, me rëndësi ekonomike, politike e gjeopolitike.

Ndërsa, drejtoresha e Misionit të UASAID-it në Kosovë, Eileen Devitt theksoi se është nder për të që të festojë bashkërisht këtë moment historik për sektorin energjisë në Kosovë dhe falënderoi të gjithë akterët për punën e bërë, Ministrinë e Ekonomisë të Republikës së Kosovës, KOSTT-in, ZRRE-në dhe institucionet tjera.

“Për më tepër, dua të pranoj se Kosova është vendi i parë në rajon që zbaton një ditë përpara tregun dhe bashkimin e tregut në të njëjtën kohë. Kjo lëvizje e madhe nënvizon përkushtimin e Kosovës për të modernizuar në mënyrë efikase infrastrukturën e saj energjetike, duke i hapur rrugën tregut konkurrues të energjisë. Sot bashkimi i Shqipërisë i Kosovës përfaqëson një arritje novatore. Ky Bashkëpunim vendos një prezencë për bashkëpunimin dhe integrimin rajonal në sektorin e energjisë. SHBA përmes USAID-it është krenare për mbështetjen e vazhdueshme për APLEX dhe angazhimin tonë të përbashkët për avancimin e integrimit të energjisë në të gjithë Ballkanin Perëndimor”, shtoi Devitt.

Kurse, kryeshefi i KOSTT-it, Evetar Zeqiri theksoi se kjo platformë shënon një standard të ri të operimit në sektorin e energjisë, i cili do të garantojë më shumë transparencë dhe konkurrencë në tregun e energjisë elektrike si dhe do të ndikojë në rritjen e sigurisë së furnizimit me energji elektrike, shfrytëzimin më efikas të kapaciteteve ndërkufitare si dhe pritet që çmimi i energjisë elektrike do të ulet për qytetarët e të dyja vendeve.

Ndryshe, ALPEX-i është pjesë e reformës së ndërmarrë nga Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë, për rindërtimin e sektorit të energjisë elektrike, në përputhje me ligjin dhe politikat qeveritare për zhvillimin e këtij sektori. Në kuadër të këtij bashkëpunimi të dy vendet njohin ALPEX-in si të vetmen bursë energjetike për të organizuar, operuar dhe mbajtur bashkimin e tregut me shumicë (Market Coupling) një ditë para dhe brenda ditës ndërmjet tregjeve të energjisë elektrike të Shqipërisë dhe Kosovës.