Energji për orët kur na duhet më shumë: Konstituohet Bordi i Korporatës së Ruajtjes së Energjisë KRE Sh.A.

Prishtinë, 14 tetor 2026 – Në ambientet e Ministrisë së Ekonomisë (ME) u mbajt mbledhja e parë konstituive e Bordit të Drejtorëve të Korporatës ë Ruajtjes së Energjisë (KRE) Sh.A., duke shënuar një hap të rëndësishëm në menaxhimin e investimit strategjik të Kosovës në sistemet e ruajtjes së energjisë me bateri me kapacitet prej 340 MWh.

Duke folur për rolin e ruajtjes së energjisë në sistemin energjetik të Kosovës, Kryeministri Kurti tha se me këtë ndërmarrje të re publike, po i shtojmë sistemit tonë energjetik një aftësi që i ka munguar.

“Kemi KEK-un dhe Ibër-Lepencin që prodhojnë energji elektrike. Kemi KOSTT-in që e transmeton atë. Tani kemi edhe Korporatën e Ruajtjes së Energjisë, KRE-në, që do ta ruajë energjinë për orët kur na duhet më së shumti. Me këtë ndërmarrje të re publike, po i shtojmë sistemit tonë energjetik një aftësi që i ka munguar.” KRE është 100 përqind në pronësi të Kosovës, është pasuri e përbashkët e qytetarëve tanë. Pasurinë publike e mbrojmë duke e mirë menaxhuar dhe duke e shtuar.”, tha Kurti.

Ministrja Rizvanolli theksoi se përgatitja e ekipit të KRE-së është thelbësore për të shfrytëzuar potencialin e plotë të këtij investimi.

“Një njërën anë mirëmbajtja dhe operimi i baterive është aktivitet plotësisht i ri, jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin. Mirë po aktiviteti i KRE-së është shumë përtej natyrës teknike të tij, po aq sa njohuria teknike është njohuria për tregun, parashikimi i tregut në një treg modern drejtë të cilit Kosova çdo ditë po zhvillohet në mënyrë që të optimiziohet shfrytëzimi i baterive.”, tha ajo.

Drejtori i Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), Rinor Gjonbalaj, tha se konstituimi i bordit shënon fillimin e një faze të re, gjatë së cilës fokusi duhet të jetë ndërtimi i një ndërmarrjeje publike profesionale dhe financiarisht të qëndrueshme. Ai shtoi se, duke krijuar bazën institucionale për menaxhimin dhe operimin e Sistemeve të Ruajtjes së Energjisë me Bateri në shkallë të gjerë, KRE do të luajë një rol kyç në ndërtimin e një sistemi energjetik më të sigurt dhe më të qëndrueshëm në Kosovë.

Ndërkaq, drejtoresha ekzekutive e MCA-Kosovës, Florina Duli-Sefaj, theksoi se kjo arritje është rezultat i një partneriteti të ngushtë ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministrisë së Ekonomisë, MCC, MCA-Kosovo dhe palëve të tjera, një angazhim, i cili do të vazhdojë deri në fillimin e operimit të sistemit të baterive.

KRE Sh.A. u themelua nga Qeveria e Kosovës më 13 mars 2024, si ndërmarrje publike qendrore me Qeverinë si aksionar të vetëm. Funksionalizimi i saj është pjesë e zbatimit të Marrëveshjes së Kompaktit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmes së cilës Kosova përfiton një grant prej 202 milionë dollarësh nga SHBA-ja, përmes Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC). Së bashku me kontributin prej 34,7 milionë dollarësh të Qeverisë së Kosovës, vlera e përgjithshme e Programit Kompakt arrin në 236,7 milionë dollarë.

Sistemet e ruajtjes së energjisë me bateri do të kenë kapacitet të përgjithshëm prej 340 MWh. KRE do të menaxhojë dhe operojë sistemin prej 250 MWh në Bellopojë të Istogut, ndërsa sistemi prej 90 MWh në Sojevë të Ferizajt do të menaxhohet nga KOSTT. Këto kapacitete synojnë të rrisin sigurinë dhe fleksibilitetin e sistemit energjetik, të përmirësojnë balancimin e kërkesës dhe ofertës dhe të lehtësojnë integrimin e burimeve të ripërtëritshme.

MCA-Kosova mbështet funksionalizimin e Korporatës përmes rekrutimit të stafit, mbështetjes operacionale dhe asistencës teknike, si dhe është përgjegjëse për zbatimin e projektit të ndërtimit të sistemit të baterive për KRE.