Deri në 100 MW kapacitete të reja nga era: hapen ofertat financiare të ankandit të parë

Prishtinë, 9 nëntor 2026 – Ministria e Ekonomisë ka mbajtur sot ceremoninë e hapjes publike të ofertave financiare, në kuadër të ankandit të parë konkurrues për energjinë e erës në Kosovë, me kapacitet të synuar deri në 100 megavatë. Në këtë proces konkurrues, kompania “Akuo Energy SAS” ka paraqitur ofertën me çmimin më të ulët, duke u pozicionuar si ofertuesi më i favorshëm financiarisht për zhvillimin e këtij projekti.

Hapja publike e ofertave financiare vjen pas përfundimit të fazës së vlerësimit teknik. Më 10 shtator 2026, ofertat i kishin dorëzuar tre ofertues:

1. Konsorciumi “Notus Energy GmbH” dhe “Stublla Energy LLC”, nga Gjermania dhe Kosova;
2. “Akuo Energy SAS”, nga Franca; dhe
3. “GÜRİŞ İnşaat ve Mühendislik AS”, nga Turqia.

Pas vlerësimit të ofertave dhe verifikimit të përmbushjes së kërkesave të përcaktuara në dokumentacionin e ankandit, dy ofertues kanë kaluar në fazën e vlerësimit financiar.

Në ceremoninë e sotme, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli theksoi se procesi është udhëhequr me përkushtim ndaj transparencës, konkurrencës së drejtë dhe mbrojtjes së interesit publik, me synim sigurimin e energjisë me çmimin më të favorshëm për qytetarët e Kosovës.
Ajo theksoi se përzgjedhja e ofertuesit më të favorshëm financiarisht, pas përmbushjes së kritereve teknike dhe ligjore, është mënyra më e mirë për të garantuar realizimin e investimit dhe mbrojtjen e interesit publik.

Ministrja Rizvanolli potencoi gjithashtu rëndësinë e energjisë së erës në diversifikimin e burimeve të prodhimit dhe forcimin e sigurisë energjetike të vendit.

“Për Kosovën, vlera e këtij investimi lidhet edhe me kohën kur na nevojitet energjia. Profili i prodhimit nga era përputhet mirë me kërkesën tonë më të lartë gjatë muajve të ftohtë dhe në orët e mbrëmjes. Energjia e erës plotëson prodhimin ekzistues dhe kapacitetet solare, duke na ndihmuar të mbulojmë më shumë nga konsumi me energji të prodhuar në Kosovë”, tha ajo.

Duke folur për hapat e ardhshëm, ministrja bëri të ditur se Ministria e Ekonomisë tashmë ka nisur përgatitjet për ankandin e radhës të erës, me kapacitet deri në 200 MW, në bashkëpunim me Korporatën Financiare Ndërkombëtare (IFC). Ajo gjithashtu rikujtoi se në shtator të këtij viti kanë hyrë në operim 70 MW kapacitete të reja të energjisë së erës në Zatriq, duke theksuar se zgjerimi i prodhimit vendor ndihmon në uljen e ekspozimit ndaj importeve dhe luhatjeve të çmimeve në tregjet ndërkombëtare, si dhe në forcimin e pavarësisë energjetike të Kosovës.

Në ceremoni ishin të pranishëm përfaqësues të Ambasadës së Francës, përfaqësues të kompanive ofertuese, partnerë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të institucioneve të sektorit të energjisë.