Certifikohen 40 auditorë të energjisë

Prishtinë, 09.02.2024 – Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku së bashku me Rektorin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Drejtoreshën e Qendrës për Energji dhe Qëndrueshmëri (QE), Majlinda Daci, kanë marrë pjesë në ceremoninë e certifikimit të 40 auditorë të energjisë.

Gjatë kësaj ceremonie, Zv. ministri Mjeku tha se këta auditorë që po certifikohen sot luajnë një rol të rëndësishëm në efiçiencën e energjisë si  prioritet i Qeverisë së Kosovës, e veçanërisht Ministrisë së Ekonomisë, që për synim ka arritjen e caqeve drejt tranzicionit energjetik, të cilat janë të përfshira në Strategjinë e Energjisë 2022-2031, që është miratuar vitin e kaluar dhe është në zbatim e sipër.

Zv. ministri Mjeku potencoi se pas certifikimit secili nga auditorët do të jenë pjesë e iniciativave që kanë ndikim të drejtpërdrejt në të ardhmen e mjedisit dhe ekonomisë, duke pasur parasysh sfidat me të cilat përballet sektori i energjisë andaj është përgjegjësi e juaja për të kontribuar në zhvillimin e një mjedisi të qëndrueshëm për të gjithë.

Ndërsa, Drejtoresha e Qendrës për Energji dhe Qëndrueshmëri (QEQ), Majlinda Daci potencoi se ndarja e këtyre certifikatave shënon një moment të rëndësishëm, me çka dëshmohet suksesi i muajve të punës, përkushtimit dhe angazhimit nga kandidatët tanë.

Nga ana e tij,  Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Qerim Qerimi tha se është nder për të që të ndajë së bashku me Zv. ministrin Mjeku certifikatat për auditorë të energjisë dhe shtoi se përpjekjet e tyre të vazhdueshme janë që të gjejnë mënyra sa më efikase që studentëve t’iu krijojnë mundësi për punë praktike, kurse dhe trajnime konfrom tregut të punës.

Projekti i certifikimit të auditorëve është organizuar nga Qendra për Energji dhe Qëndrueshmëri (QEQ), ndërsa trajnimi është kryer nga Universiteti Publik “Hasan Prishtina”.

Ky është grupi i katërt i auditorëve të certifikuar, me çka arrin në 226 numrin e auditorëve të certifikuar, proces ky i cili do të vazhdojë edhe në të ardhmen.