Certifikohen 198 të rinj në shkathtësi digjitale

Prishtinë, 20.02.2024 – Zëvendësministri i Ministrisë së Ekonomisë (ME), Getoar Mjeku mori pjesë në Certifikimin për Semestrin e 7-të të Programit të Trajnimeve për Aftësitë Digjitale dhe Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK).

Projekti “ICT for Kosovo’s Growth” është financuar nga Bashkimi Evropian (BE) dhe përkrahur nga Ministria e Ekonomisë ndërsa është zbatuar nga WEglobal në konsorcium me Prishtina REA dhe EPM.

Me përfundimin e semsetrit të shtatë të programit të trajnimeve, në këtë ceremoni u certifikuan 198 të rinj në fushën  e TIK-ut.

Zëvendësministri Mjeku, në fjalën e tij përshëndetëse tha se sektori i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit është prioritet dhe krenari për Qeverinë e Republikës ku falë Projektit të Ekonomisë Digjitale (KODE) i zbatuar nga Ministria e Ekonomisë, 100 për qind e vendbanimeve të Kosovës sot janë të lidhura në internet brezgjerë.

Mjeku shtoi se 85 për qind e eksporteve që Kosova realizon janë gjithashtu meritë e shërbimeve të TIK-ut duke qenë një sektor mjaft konkurrues e i patrembur.

Sektori i TIK-ut ofron një treg të pangopur, me kërkesë për punë e produkte brenda e jashtë vendit. Dhe kjo kërkesë në rritje përkthehet para së gjithash në nevojë për njerëz — për profesionistë të zotë, që ne si shtet dhe si shoqëri duhet t’i përgatisim e t’i përkrahim në karrierë e ndërmarrësi, tha zv.ministri Mjeku.

Në fund të fjalës së tij, zv.ministri Mjeku u shpreh i lumtur për punën që po bën projekti «ICT for Kosovo’s Groëth» — TIK për rritjen e Kosovës si dhe mirënjohës për përkrahjen që Bashkimi Evropian i ka dhënë këtij projekti, ashtu siç po u jep projekteve të tjera të këtij sektorit.

Projekti është i dizajnuar për të adresuar mungesën e fuqisë së aftë punëtore në sektorin e TIK-ut në Kosovë duke ofruar trajnime të avancuara në TIK për studentë të diplomuar në shkencat kompjuterike, inxhinieri, programim dhe matematikë, madje edhe për stafin e kompanive të TIK-ut, start-up-et dhe punëtorët e lirë.

Në mesin e rezultateve kyçe të arritura deri në fund të Semestrit të 7-të janë:

– Aftësitë Digjitale janë përmirësuar dhe fuqia punëtore e aftë në TIK është zhvilluar në një mënyrë të qëndrueshme që përmbush nevojat e tregut dhe konkurrueshmërinë e rritur të bizneseve të TIK-ut dhe atyre tradicionale në Kosovë.

– Kapacitetet e eksportit të bizneseve të TIK-ut kosovare janë përmirësuar duke mbështetur bashkëpunimin mes tyre me kompanitë ndërkombëtare. 36 menaxherë të kompanive kosovare të TIK-ut morën pjesë në gjashtë ngjarje B2B ndërkombëtare në vendet e Bashkimit Evropian ku patën mundësinë të takonin kolegët e tyre nga kompanitë e BE-së dhe nënshkruan 17 Marrwveshje ndërsa 3 kontrata janë zbatuar tashmë.

Ceremonia e Çertifikimit për Semestrin e 7-të u organizua për të dorëzuar çertifikatat për 198 trajnuar të çertifikuar, të cilët morën pjesë në programin e trajnimit të avancuar të TIK-ut prej 300 orëve në tetë module trajnimi të përmendura më sipër. Trajnimi në TIK u zbatua nga trajnerë ndërkombëtarë dhe lokal. Çertifikatat u ndanë për të trajnuarit që përfunduan me sukses trajnimin në TIK dhe kaluan testin final.

Programi i avancuar i TIK-ut përgjatë 8 moduleve ka mbajtur 300 orë trajnime për 2123  pjesëmarrës nga të cilët 39 %  e tyre janë femra dhe 300 të trajnuar tashmë janë të punësuar.

Pjesëmarrësit  janë trajnuar në:

  • Web Development Professional,
  • Enterprise Java Programming,
  • Cyber Security,
  • Web Development Practitioner,
  • Python,
  • Big Data Analytics,
  • Machine Learning dhe Artificial Intelligence,

Në këtë ceremoni certifikimi morën pjesë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zëvendësministri të Ministrisë së Ekonomisë, Getoar Mjeku, Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog dhe Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama.