Zëvendësministri Mjeku merr pjesë në Samitin e Ministrave të Minierave
Toronto, 07.03.2024 – Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, ka marrë pjesë në Samitin Ndërkombëtar të Ministrave të Minierave në Toronto të Kanadasë.
Ndërlidhur me temën e sivjetme “Minierat e përgjegjshme dhe transicioni energjetik”, zëvendësministri Mjeku foli mbi përkushtimin e Republikës së Kosovës për të nxitur efiçiencën energjetike, ekonominë qarkore dhe përgjegjësinë mjedisore, shoqërore dhe qeverisëse.
Ai shtoi se shtetet duhet të këmbejnë përvojat dhe të përsosin bashkë standardet ndërkombëtare të sektorit minerar, ndërsa theksoi nevojën për t’i dhënë përparësi tregtisë me vende partnere që ushqejnë të njëjtat vlera demokratike.
Fjalën hyrëse të samitit e mbajti ministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore të Kanadasë, Jonathan Wilkinson, ndërsa diskutimet i moderoi ish-ministri Brian Tobin. Në samit morën pjesë ministra e përfaqësues nga Bashkimi Evropian, ShBA, Argjentina, Australia, Finlanda, Franca, Gana, Gajana, Gjermania, Kazakistani, Kili, Mongolia, Norvegjia, Peruja e vende të tjera. Kompani të mëdha shumëkombëshe dhe shoqata joqeveritare paraqitën gjithashtu vërejtjet e tyre rreth sfidave mjedisore e shoqërore në sektorin minerar.
Samiti i Ministrave organizohet çdo vit nga Shoqata e Hulumtuesve dhe Zhvilluesve të Minierave të Kanadasë (PDAC), Forumi Ndërqeveritar mbi Minierat, Mineralet, Metalet dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, si dhe Forumi Ekonomik Botëror. Mbahet gjatë konferencës PDAC, që njihet si ngjarja më e madhe e minierave në botë.