Ministrja Rizvanolli ka marrë pjesë në ngjarjen Matchmaking të Bizneseve të TIK-ut në Bullgari

Sofje, 06.04.2022 – Është mbajtur sot ngjarja Matchmaking të Bizneseve të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimeve (TIK) të Kosovës dhe Bullgarisë në Tech Park të Sofies, në të cilën ngjarje ka marrë pjesë ministrja e Ekonomisë të Republikës së Kosovës, Artane Rizvanolli.

Kjo ngjarje organizohet nga projekti “Përkrahja e BE-së për konkurrencën e sektorit të TIK-ut të Kosovës”, projekt ky i financuar nga Bashkimi Evropian (BE).  

Në këtë ngjarje po marrin pjesë kompani të fushës së TIK-ut nga Kosova të cilët do të kenë mundësi të takohen me kompani nga Bullgaria të të njëjtës fushë.

Gjatë vizitës në Tech Park, Ministrja Rizvanolli para bizneseve të të dy vendeve ka prezantuar punën që është duke u bërë në këtë sektor, përfshirë këtu;  Infrastrukturën dixhitale, Aftësitë dixhitale, Bashkëpunimin rajonal, Hapësirat konkurruese e inovative për biznese të sektorit si dhe Dixhitalizimin e sektorit publik dhe të bizneseve.

Gjatë takimeve mes bizneseve, ministrja Rizvanolli u takua edhe me disa nga përfaqësuesit e të dy vendeve, nga të cilët është përforcuar edhe më tej bindja që Kosova e Bullgaria kanë hapësirë dhe mundësi të shkëlqyeshme të bashkëpunimit në këtë sektor.

U theksua se kjo vizitë është vetëm hapi i parë drejt një bashkëpunimi në sektorin e TIK-ut nga i cili do të përfitojnë dhe zhvillohen të dy vendet.

Qëllimi i kësaj ngjarjeje është që të eksplorojë mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet të bizneseve kosovare dhe bullgare në fushën e TIK-ut, sektor ky që ka potencial në zhvillimin dhe aftësimin e të rinjve.