Ministrja Rizvanolli zhvilloi takime bilaterale gjatë Dialogut të Tranzicionit Energjetik në Berlin

Prishtinë, 05.04.2022 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli gjatë qëndrimit disa ditor në Berlin të Gjermanisë, ku ishte pjesëmarrëse në Dialogun e Tranzicionit Energjetik ka pasur takime bilaterale me Anna Lührmann, Ministre gjermane e shtetit për Evropë dhe Klimë, Kostas Skrekas, Ministri grek për Mjedis dhe Energji si dhe me Oliver Krischer, Sekretar Parlamentar i Shtetit në Ministrinë Federale për Çështjet Ekonomike dhe Veprimin Klimatik të Gjermanisë.

Ministrja Rizvanolli është shprehur se këto takime bilaterale kanë shërbyer jo vetëm për të ritheksuar synimet e përbashkëta drejt tranzicionit energjetik, por gjithashtu edhe për të përforcuar e konkretizuar edhe më tej bashkëpunimet bilaterale dhe rajonale.

E para e ME-së gjatë takimit me ministren gjermane të shtetit për Evropë dhe Klimë, Anna Lührmann diskutuan për perspektivën evropiane të Kosovës, me ç’rast ministrja gjermane shprehu mirënjohje për progresin e deritanishëm të Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit evropian si dhe për raportet e ngushta që shteti i Kosovës ka krijuar me shtetin e Gjermanisë.

Në këtë takim ishte i pranishëm edhe sekretari Oliver Krischer me të cilin ministrja Rizvanolli ka diskutuar  për sektorin e energjisë dhe bashkëpunimin e shkëlqyeshëm në mes të të dyja vendeve, si dhe kontributin e Gjermanisë në rritjen e efiçiencës së energjisë në Republikën e Kosovës. Gjithashtu në këtë takim u bisedua për mundësitë e zhvillimit të mëtutjeshëm të këtij sektori.

Ndërsa në takimin që Ministrja Rizvanolli pati me Kostas Skrekas, Ministër për Mjedis dhe Energji të Greqisë, është diskutuar mundësia e bashkëpunimit në përmirësim të sigurisë së energjisë, si dhe arritjes së një miksi energjetik më të pastër dhe më të gjelbër.