Zv. Ministri Arifaj pjesë e diskutimeve online rreth profileve aktuale dhe të ardhshme të energjisë bërthamore

Prishtinë, 29.03.2022 – Me temën “Perspektivat civile të energjisë bërthamore”, Partneriteti për Energjinë Transatlantike dhe Bashkëpunim Klimatik ka mbajtur takim online me përfaqësuesit e disa vendeve, ku Kosova është  përfaqësuar nga zëvendësministri i Ekonomisë, Mentor Arifaj, i cili është ftuar nga z. David Turk, Zëvendës Sekretar i Departamentit Amerikan për Energji.

 Zv. ministri Arifaj tha se ngjarjet e fundit në Ukrainë kanë shtyrë BE-në që të angazhohet për dekarbonizim më të shpejt të sektorit të energjisë me çka do të shtojë rëndësinë e diversifikimit të burimeve tonë të energjisë dhe mundësinë e investimit në burimet e ripërtëritshme të energjisë.

Po ashtu zv. ministri Arifaj theksoi se Kosova është në proces të hartimit të Strategjisë Kombëtare të Energjisë 2022 -2031 dhe vizioni kryesor është të përmbushim rrugën tonë afatgjate drejt dekarbonizimit deri në vitin 2050, pasi që Republika e Kosovës është pjesë e Traktatit të Komunitetit të Energjisë  synimi ynë është që të harmonizojmë legjislacionin tonë për energjinë me legjislacionin evropian dhe Marrëveshjen e Gjelbër.
 
Tutje Arifaj shtoi se fokus i Qeverisë së Kosovës është stabiliteti me furnizim me energji elektrike, përballueshmëria e çmimeve, investimi në burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe efiçienca e energjisë gjë që do të ndikojnë në mirëqenien e qytetarëve të vendit tonë. Ai gjithashtu tha se Kosova nuk parasheh investime në energjinë bërthamore megjithatë ishte kënaqësi të jem pjesë  diskutimeve dhe të kuptojë më shumë rreth potencialit që ka energjia bërthamore në tranzicionin energjisë.

Ndryshe në këtë takim kanë marrë pjesë përfaqësues të qeverive nga SHBA-të, BE, Estonia, Republika Çeke, Ukraina, Polonia dhe ekspertë të ndryshëm.