Arifaj merr pjesë në takimin online Vlerësimi i ndikimit mjedisor në sektorin e minierave në Kanada

Prishtinë, 28.03.2022 – Është zhvilluar takimi online “Vlerësimi i ndikimit mjedisor në sektorin e minierave në Kanada”, i organizuar nga ambasada e Kanadasë në Kroaci dhe Kosovë, takim ky i kryesuar nga znj. Synthia Dodig, Komisionere e Tregtisë si dhe znj. Deborah Archibald, Drejtoreshë Ekzekutive nga Programi i Qeverisjes së Burimeve Nxjerrëse (ERPG) nga Shkolla Politike Publike, Universiteti i Calgaryt në të cilin takim ka marrë pjesë edhe zëvendësministri i Ekonomisë, Mentor Arifaj.

Zv. ministri Arifaj u shpreh se vlerësimi i ndikimit mjedisor në sektorin e minierave në Kanada është një shembull i mirë për ne në Kosovë, pasi që Kanada është një nga vendet lidere në botë sa i përket sektorit të minierave, andaj do të ishte një mundësi e mirë për t’u informuar më shumë në lidhje me ndikimin mjedisor në sektorin e minierave, si një nga sektorët më të rëndësishëm në vendin tonë.

Tutje zv. ministri Arifaj shtoi se Kosova është e pasur me metale dhe minerale, por për shkak të problemeve të trashëguara, duhet të vazhdojmë përpjekjet tona zhvillimore në avancimin dhe modernizimin e sektorit minerar në Republikën e Kosovës, në mënyrë që ky sektor të lulëzojë përsëri.  

“Përveç metaleve dhe mineraleve, Kosova ka miliona tonë mbetje minerare dhe industriale të cilat duhet t’i trajtojmë, jo vetëm nga perspektiva e fitimprurjes, por edhe nga perspektiva e ndikimit mjedisor”, tha zv. Ministri Arifaj.

Zv. ministri i ME-së bëri të ditur se Ministria e Ekonomisë së bashku me Fakultetin e Gjeoshkencave të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, do të organizojnë Konferencën Multidisiplinare për Gjeoshkencat dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm me ç’rast i ftoi pjesëmarrësit e këtij takimi që të vijnë dhe të shprehin interesin e tyre për të ndarë përvojat e tyre, poashtu zv. ministri Arifaj i ftoi kompanitë kanadeze për të investuar në sektorin minerar.