Ministrja Rizvanolli pjesë e panelit të edicionit të tetë të Dialogut të Tranzicionit Energjetik në Berlin

Berlin, 30.03.2022 – Ministrja e Ministrisë së Ekonomisë (ME), Artane Rizvanolli, e cila po e përfaqëson Republikën e Kosovës në edicionin e tetë të Dialogut të Tranzicionit Energjetik në Berlin, ka marrë pjesë në panelin, “Ndërlidhja mes gjinisë dhe energjisë: Intervista me Ministra dhe Palë të Interesit”.

Ministrja Rizvanolli shprehu kënaqësinë e saj për mundësinë e diskutimit për përfaqësimin gjinor në sektor të energjisë, përmes prizmit të mundësive, e jo atij të pengesave për gratë në sektor. Ajo gjithashtu ka ndarë përvojat dhe punët që janë bërë për zvogëlimin e hendekut të përfaqësimit gjinor, me fokus në sektor të energjisë.

E para e ME-së se ka ndarë me bashkëbiseduesit dhe pjesëmarrësit, dedikimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për rritjen e përfaqësimit gjinor në të gjithë sektorët, e në veçanti në sektorë si ai i energjisë ku përqindja e pjesëmarrjes së grave, veçanërisht në pozita udhëheqëse është tejet e ulët.

Deri më tash përmes punës së Qeverisë së Kosovës është reflektuar ky dedikim në sferat që përfshijnë procedurat e rekrutimit për ndërmarrjet publike, thyerjen e barrierave strukturore, përfshirjen e barabartë të grave dhe përfshirjen e perspektivës gjinore në proces të tranzicionit energjetik e aftësimin profesional të grave e vajzave në sektor të energjisë ndër të tjera.

Po ashtu, ajo pohoi se nën moton “Nga qëllimi në veprim” të #betd22, vazhdojmë të punojmë që barazia gjinore të kthehet “Nga dedikimi në realitet”.

Pjesëmarrës tjerë të panelit ishin: Dr. Monica Kathina Juma, Sekretare e Kabinetit të Ministrisë së Energjisë në Kenia, Dr. Sheila Oparaocha, drejtoreshë e Rrjetit Ndërkombëtar “Energia”, Dan Dorner, udhëheqës i Sekretariatit të CEM, Dr. Thomas Fohgrup, udhëheqës i Njësisë së Koordinimit në GPA, UNITAR., kurse paneli është udhëhequr nga Dr. Melinda Crane, BETD.