Inaugurohet parku energjetik në Selac dhe Bajgorë

Prishtinë, 11.03.2022 – Në fshatrat e Mitrovicës, Selac dhe Bajgorë, sot është inauguruar parku energjetik i erës “Selac Windpark”.

Në inaugurimin e parkut energjetik të pranishëm ishin kryeministri Albin Kurti, ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, ministrja e Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock dhe përfaqësues të tjerë.

Ky park ka gjithsej 27 turbina të cilat kanë fuqi të instaluar prej 105 megavat për orë, apo 10% e kapacitetit të instaluar të Republikës së Kosovës, si dhe ulë emetimet e CO2 për 247 mijë tonë.

Përpos turbinave, projekti mbi 170 milionësh përfshin edhe ndërtimin e nënstacionit në Bajgorë si dhe të rrjetit të largpërquesit në gjatësi prej 19.4 kilometrash, azhurnimin e nënstacionit të KOSTT në Vushtrri, si dhe investime në infrastrukturë publike.

Në inaugurimin e parkut energjetik u tha se Agjenda e Gjelbër është një nga prioritetet e qeverisë, jo vetëm për shkak të rëndësisë në procesin e integrimit të Republikës së Kosovës në Bashkim Evropian, por veçanërisht për shkak të nevojës së uljes graduale të përdorimit të qymyrit, duke ruajtur pavarësinë energjetike.