Ministrja Rizvanolli priti në takim Ministren Srzentić të Malit të Zi

Prishtinë, 01.03.2022 – Ministrja e Ekonomisë së Republikës së Kosovës,
Artane Rizvanolli ka pritur në takim Ministren e Administratës Publike të Malit
të Zi, Tamara Srzentić së bashku me përfaqësues të kabinetit dhe ministrisë së
saj.

Gjatë takimit, të dy ministret kanë shpalosur punën e dy ministrive në
sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, Digjitalizimit si dhe planet
e të dy ministrive për avancimin e këtij sektori.

Tutje, ministret kanë ndarë sfidat kryesore me të cilat ballafaqohen dhe
mënyrat se si kanë arritur t’i kthejnë këto sfida në mundësi zhvillimi, e që
rrjedhimisht u mundësojnë të dy shteteve të mësojnë praktikat më të mira të
njëra-tjetrës.

Duke marrë parasysh që vendet e rajonit përballen me sfida të ngjashme
në fushën e digjitalizimit, ministret kanë diskutuar për mundësi konkrete të
bashkëpunimit bilateral, duke theksuar që avancimi i hovshëm i sektorit duhet
të bëhet duke shikuar edhe përmes lensit rajonal, jo vetëm atij shtetëror.

Ministrja Rizvanolli dhe Ministrja Srzentić kanë vizituar së bashku
Qendrën e Inovacionit të Kosovës (ICK) dhe Shkollën Digjitale për të njoftuar
nga afër Ministren e Malit të Zi me punën dhe zhvillimin e sektorit të TIK-ut
në vend. Gjatë vizitave, Ministret janë takuar edhe me të rinj të cilët punojnë
e trajnohen në këto qendra dhe kanë biseduar rreth aftësive dhe nevojave të
tyre profesionale e akademike.