Ministrja Rizvanolli merr pjesë në ceremoninë e shpalljes së fituesve të konkursit kombëtar “Ide të ndritshme për një të ardhme të gjelbër”, organizuar nga FKEE

Prishtinë, 12.12.2025 – Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, mori pjesë në ceremoninë e organizuar nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE), ku u shpallën fituesit e konkursit kombëtar “Ide të ndritshme për një të ardhme të gjelbër”.

Ky konkurs përfshiu nxënës nga e gjithë Kosova, të cilët garuan me ese, piktura si dhe instalacione kreative që paraqitën ide të reja për efiçiencën e energjisë dhe përdorimin e energjisë së ripërtëritshme.
Në fjalën e saj, ministrja Rizvanolli vlerësoi lart kreativitetin, guximin dhe qasjen e përgjegjshme të nxënësve ndaj sfidave mjedisore. Ajo theksoi se punimet e tyre – nga konceptet teknike deri tek ilustrimet artistike dhe modelet funksionale – treguan një kuptim të qartë të rëndësisë së energjisë së pastër dhe kursimit të saj, si dhe ndikimit që veprimet individuale kanë në të ardhmen e planetit tonë.
Ministrja theksoi se brezi i ri po dëshmon se ka ide të reja dhe të domosdoshme për një të nesërme të gjelbër, teksa inkurajoi nxënësit që të vazhdojnë me punën për ngritjen e vetëdijes rreth kursimit të energjisë dhe mbrojtjes së mjedisit.
Ajo shprehu mirënjohje për Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë për organizimin e konkursit dhe për kontributin e vazhdueshëm në fushën e efiçiencës së energjisë, si dhe për punën e jurisë profesionale që vlerësoi me kujdes të gjitha punimet.
Në mbyllje, ministrja uroi nxënësit fitues dhe të gjithë pjesëmarrësit, duke theksuar se “çdo ide e tyre është një hap drejt një të ardhmeje më të gjelbër” dhe se Ministria e Ekonomisë mbetet e përkushtuar në mbështetjen e iniciativave që ndërthurin edukimin, kreativitetin dhe qëndrueshmërinë.
Përveç ministres Rizvanolli, pjesë e organizimit ishin edhe zyrtarë të FKEE-së, , anëtarët e komisioneve vlerësuese, prindër, mësimdhënës dhe nxënësit pjesëmarrës fitues.