Tre ofertues të kualifikuar dorëzojnë ofertat për Ankandin e Erës

Prishtinë, 10 shtator 2026 – Ministria e Ekonomisë ka përmbyllur fazën e dorëzimit të ofertave në kuadër të Kërkesës për Propozime të Ankandit të Parë të Erës, me kapacitet të synuar prej 50 deri në 100 MW. Tre ofertues të kualifikuar kanë dorëzuar ofertat e tyre në kuadër të këtij procesi.

Dorëzimi i ofertave shënon kalimin në një fazë vendimtare të procesit konkurrues për zhvillimin e projekteve të reja të energjisë nga era. Përmes këtij ankandi, Kosova synon të mobilizojë investime të reja private në sektorin e energjisë, të rrisë kapacitetet vendore të prodhimit dhe të kontribuojë në sigurinë e furnizimit dhe diversifikimin e burimeve të energjisë.

Në këtë proces kanë aplikuar dhe kanë dorëzuar ofertat e tyre:

  1. Konsorciumi “Notus Energy GMBH” dhe “Stublla Energy LLC”, nga Gjermania dhe Kosova;
  2. “Akuo Energy SAS”, nga Franca dhe
  3. “GÜRİŞ Inşaat ve Mühendislik AS”, nga Turqia.

Me këtë rast, Ministrja në Detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, theksoi se me pranimin e ofertave për procesin e parë konkurrues për kapacitete të energjisë nga era, po përmbyllim një etapë të rëndësishme të këtij procesi.

”Në javët në vijim do të zhvillohet vlerësimi i ofertave për të verifikuar përmbushjen e të gjitha kërkesave ligjore, administrative dhe teknike të përcaktuara në dokumentacionin e projektit. Vetëm ofertat që përmbushin këto standarde do të avancojnë në fazën e vlerësimit financiar, ku fitues do të shpallet ofertuesi që ka ofruara çmimin më të ulët. Kjo qasje siguron njëkohësisht cilësi, transparencë, konkurrencë të ndershme dhe vlerën më të mirë për qytetarët e Republikës së Kosovës.”

Ankandi i Erës është pjesë e politikave të Republikës së Kosovës për zhvillimin e kapaciteteve të reja të energjisë së ripërtëritshme, diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë elektrike dhe avancimin e tranzicionit energjetik të vendit.

Ky proces është bërë i mundur me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC), si këshilltar i transaksionit, me mbështetjen e Qeverisë së Gjermanisë, si dhe të Qeverisë së Luksemburgut përmes LuxDev.

Ministria e Ekonomisë do të vazhdojë me vlerësimin e ofertave të dorëzuara, në përputhje me kriteret dhe procedurat e përcaktuara në dokumentacionin e ofertimit konkurrues. Procesi do të zhvillohet duke respektuar parimet e konkurrencës, transparencës dhe trajtimit të barabartë të ofertuesve, në përputhje me kornizën ligjore në fuqi dhe standardet më të mira ndërkombëtare.