Kosova do të bëhet pjesë e programit në vlerë prej 7 miliardë euro, Evropa Digjitale 

Prishtinë, 13.12.2023 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka nënshkruar Marrëveshjen Kornizë të Programit të Evropës Digjitale, ndërsa nga ana e Komisioni Evropian, marrëveshja është nënshkruar nga Roberto Viola, Komisioner për Komunikim, Rrjete, Përmbajtje dhe Teknologji. 

Marrëveshja Kornizë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës ia mundëson Kosovës pjesëmarrjen në Programin e Bashkimit Evropian “Evropa Digjitale”. Ky program është i ri i krijuar dhe financuar nga Bashkimi Evropian me qëllim që të bëhet i mundur transformimi digjital, rritja e përdorimit të teknologjive digjitale për bizneset dhe qytetarët me çka do të ketë impakt pozitiv në zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Përmes pjesëmarrjes së Kosovës në këtë program do të forcohet dhe zhvillohet më tej bashkëpunimi ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës e poashtu  zbatimi kësaj marrëveshje do të bëhet në përputhje me legjislacionin përkatës, pas miratimit në Qeveri dhe Kuvend të Republikës së Kosovës.

Bizneset, administrata publike si dhe OJQ-të nga vendet nënshkruese të kësaj marrëveshje do të kenë mundësi të aplikojnë në projekte që ndërlidhen me fusha specifike si intelegjenca artificiale dhe aftësi të avancuara digjitale.

Ky program ka për qëllim të rritë qasjen në digjitalizim tek qytetarët, bizneset dhe institucionet, dhe përmes granteve strategjike të avancojë katër fusha: Resurset kompjuterike me performancë të lartë, Inteligjenca artificiale (IA), Shkathtësitë e avancuara digjitale, si dhe Përshpejtimi dhe shfrytëzimi më i mirë i kapaciteteve digjitale dhe ndërveprueshmëria (interoperabiliteti).

Ky program synon t’i afrojë shtetet e Ballkanit Perëndimor me ekonominë e shoqërinë e BE-së, për të mbështetur digjitalizimin në përgjithësi, veçanërisht të bizneseve të vogla dhe të mesme.

Më shumë info mbi programin: