Hapet thirrja për Sistemin fotovoltaik për prodhimin e energjisë elektrike për vetë-konsum

Prishtinë, 06.02.2023 – Ministria e Ekonomisë sot ka hapur Thirrjen publike për mbështetjen e konsumatorëve familjarë dhe ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme për investim në sisteme të energjisë së ripërtëritshme – sistemi fotovoltaik (FV) për prodhimin e energjisë elektrike për vetë-konsum, të financuara nga Bashkimi Evropian (BE).

Instalimi i sistemeve të energjisë së ripërtëritshme – sistemi fotovoltaik (FV) për prodhimin e energjisë elektrike për vetë-konsum për konsumatorët familjarë

Vlera e subvencionit për konsumatorët familjarë, mbulon shumën 250 €/kWp dhe deri në 1750.00 €, subvencionohet vetëm një sistem fotovoltaik (FV) për prodhimin e energjisë elektrike për vetë-konsum për një (1) shtëpi, sistemi duhet të blihet i ri. Data e blerjes duhet të jetë nga data e shpalljes së thirrjes, e cila fillon më datë 06.02.2024.

Aplikimi për subvencionim është i ndarë në dy faza dhe në të dy fazat aplikimi bëhet online përmes platformës e-Kosova. Kriteri bazë për aplikim është kriteri i konsumit të energjisë elektrike, i cili gjendet në linkun në vijim: https://ekosova.rks-gov.net/485

Linkun për aplikim në fazën e dytë do ta pranoni në email adresën, me të cilën e keni hapur llogarinë e juaj në e-Kosova gjatë aplikimit tuaj në fazën e parë.

Informatat e plota të thirrjes mund t’i gjeni në linkun: https://me.rks-gov.net/wp-content/uploads/2024/02/Thirrje-publike-Per-mbeshtetjen-e-konsumatoreve-familjare-ne-investimi…-1.pdf

Instalimi i sistemit fotovoltaik (FV) për prodhimin e energjisë elektrike për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme

Për t’u kualifikuar për subvencionim, ndërmarrja duhet të jetë mikro, e vogël apo e mesme sipas Ligjit Nr. 04/L-220 për Investimet e Huaja.

Ndërmarrja mikro duhet të ketë të punësuar deri nëntë (9) punëtorë;

Ndërmarrja e vogël duhet të ketë të punësuar prej dhjetë (10) deri dyzet e nëntë (49) punëtorë;

Ndërmarrja e mesme duhet të ketë të punësuar prej pesëdhjetë (50) deri dyqind e dyzet e nëntë (249) punëtorë.

Secili aplikues gëzon të drejtën e përfitimit të subvencionit për vetëm një (1) sistem fotovoltaik (FV) për biznes, dhe sistemi duhet të blihet i ri. Data e blerjes duhet të jetë nga data e shpalljes së thirrjes, e cila fillon më datë 06.02.2024.

 

Vlera e subvencionit për ndërmarrje mikro, të vogël apo të mesme, për kapacitetet instaluese 3-9 kWp, do të jetë 250 €/kWp, deri në 2000.00 €.

Për kapacitetet instaluese 10 kWp ose më shumë do të jetë 200 €/kWp, deri në 6000.00 €.

Për bizneset në pronësi apo bashkëpronësi të grave nga pesëdhjetë e një përqind (51%) do të subvencionohen 200 € shtesë.

Aplikimi për subvencionim është i ndarë në dy (2) faza dhe në të dy (2) fazat aplikimi bëhet online përmes platformës e-Kosova.

 

Duhet të posedoni llogari individuale apo të biznesit përmes së cilës platforma e-Kosova do të identifikojë bizneset, në të cilat jeni pronar apo përfaqësues i autorizuar. Aplikimi mund të bëhet nga aksionari/ët, apo personi i autorizuar nga kompania.

Kriteri bazë për aplikim është kriteri i konsumit të energjisë elektrike, i cili gjendet në linkun në vijim: https://ekosova.rks-gov.net/484

Informatat e plota të thirrjes mund t’i gjeni në linkun: https://me.rks-gov.net/wp-content/uploads/2024/02/NMVM-THIRRJE-PUBLIKE-Instalimi-i-sistemit-Fotovoltaik-09.02.2024-1.pdf

Afati i fundit për aplikim për fazën e parë është deri më datën 31 maj 2024, ose deri në shpenzimin e buxhetit të alokuar për këtë thirrje. Aplikimet e pranuara në fazën e parë do të shqyrtohen bazuar në parimin “KUSH APLIKON I PARI, SHËRBEHET I PARI”, andaj inkurajoheni të aplikoni sa më herët. Ndërsa, afati i fundit për fazën e dytë është deri me datën 30 shtator 2024.

Po ashtu, së shpejti do të hapet thirrja publike për mbështetjen e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, në investim në sisteme të energjisë së ripërtëritshme – sistemi diellor për ngrohjen e ujit.

Për më shumë informacione dhe sqarime shtesë rreth aplikimit mund të drejtoheni me shkrim në email adresën:  info.subvencionet@rks-gov.net

Apo të kontaktoni në numrat e telefonit: 038 200 215 89 / 038 200 215 55, nga e hëna deri të premten, duke filluar nga ora: 08:30-12:00 dhe nga ora 13:00-16:00.