Mbahet sesioni i fundit informues për Skemën e Granteve për Energji të Pastër

Prishtinë, 22.01.2026 – Është mbajtur sesioni i fundit informues me përfaqësuesit e bizneseve dhe palët e interesit, për Skemën e Granteve për Energji të Pastër, i organizuar nga Ministria e Ekonomisë, KIESA dhe LuxDev, e cila është e hapur deri më 31 janar 2026.

Gjatë sesionit, bizneset u njoftuan për mundësitë e mbështetjes për investime në energji të pastër dhe masa të efiçiencës së energjisë, mënyrat dhe procedurat e aplikimit në skemë. Projekti në vlerë prej 1,000,000.00 euro, është financuar nga Dukati i Madh i Luksemburgut e zbatuar nga KIESA/MINT, në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë (ME) dhe LuxDev, Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor.

Përfaqësuesit e bizneseve, veç tjerash, interesim patën të mësojnë më shumë rreth procedurave të aplikimit për sistemet solare dhe bateri për ruajtje të energjisë dhe efikasitetit të baterive në krijimin e stabilitetit energjetik për bizneset e tyre.

Thirrja u dedikohet ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, si dhe ndërmarrjeve të mëdha që nuk përfitojnë nga tarifat e rregulluara të energjisë elektrike dhe që kanë si aktivitet primar ose sekondar prodhimin apo përpunimin.

Skema përfshin tri masa kryesore:

  • Sisteme solare dhe bateri për ruajtje të energjisë
  • Masat e efiçiencës së energjisë në ndërtesat e bizneseve.
  • Pajisje për uljen e konsumit të energjisë në linjat e prodhimit

Mbështetja financiare përfshin:

  • Deri në 20,000 euro për një masë të vetme
  • Deri në 25,000 euro për masa të kombinuara

Përveç mbështetjes financiare, përfituesit do të kenë qasje edhe në ngritje kapacitetesh dhe asistencë teknike, për të siguruar investime të qëndrueshme dhe afatgjata.

Për më shumë informacione mbi mënyrën e aplikimit dhe detajet e thirrjes, ju lutemi vizitoni: https://kiesa.rks-gov.net/Page.aspx?id=1,5,1021

Aplikimi realizohet përmes platformës eKosova: https://ekosova.rks-gov.net/

Përgjigje për pyetjet më të shpeshta në lidhje me grant skemën për energji të pastër: https://me.rks-gov.net/ëp-content/uploads/2026/01/PERGJIGJE-PER-PYETJET-ME-TE-SHPESHTA-NE-LIDHJE-ME-THIRRJEN-PUBLIKE-PER-GRANT-SKEMEN-PER-ENERGJI-TE-PASTER.pdf