Mbahet Konferenca e VII Ndërkombëtare Multidisiplinare për Gjeoshkencë

Mitrovicë, 17.10.2025 – Mbahet Konferenca e VII Ndërkombëtare Multidisiplinare e Gjeoshkencës me temë “Mineralet kritike dhe zhvillimi i qëndrueshëm”.

Konferenca dyditore, e cila ka filluar punimet në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, organizohet nga Ministria e Ekonomisë (ME), Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) dhe Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).

Në hapje të punimeve të Konferencës, në emër te Ministrisë se Ekonomisë drejtori i Departamentit të Minierave, Skender Sallahi përshëndeti punimet e Konferencës, falënderoi të pranishmit dhe bashkorganizatorët dhe më tej theksoi rëndësinë e sektorit minerar në zhvillimin e gjithmbarshëm të vendit dhe potencialin që ka Kosova.

Po ashtu, ai theksoi se është e rëndësishme që të gjithë të angazhohen për zhvillim të qëndrueshëm, në mënyrë që sektori minerar të luajë rolin e vet në zhvillim të vendit.

Pjesëmarrës në Konferencë janë studiues nga Kosova, shtetet e rajonit, vendet e Bashkimit Evropian dhe Turqia.

Gjatë ditës së parë të Konferencës janë paraqitur punime nga studiues të fushës së gjeoshkencave, kurse në ditën e dytë, pjesëmarrësit do të vizitojnë vende të ndryshme të Kosovës, që lidhën me fushën e minierave dhe mineraleve.