Përfundimi i punimeve në Njësinë B2, TC “Kosova B” do të prodhojë 35 MW më shumë energji elektrike

Prishtinë, 08.20.2025 – Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli vizituan sot Termocentralin “Kosova B”, me rastin e përmbylljes me sukses të punimeve dhe projektit për modernizimin e njësisë prodhuese B2.

Me fillimin e operimit kjo njësi është duke prodhuar 35 MW më shumë energji elektrike, sesa ishte duke operuar para remontit, si dhe që garanton stabilitetin afatgjatë të furnizimit me energji elektrike për gjithë vendin.

Me këtë rast, kryeministri Kurti tha se është përmbyllur një prej projekteve më të rëndësishme të KEK-ut, që nga ndërtimi.

“Eficienca e sistemit është rritur ndjeshëm, falë teknologjisë së re dhe modernizimit të turbinës, që tash garanton prodhim më të madh me më pak konsum energjie të brendshme. Konsumi i thëngjillit është ulur nga 1.3 në 1.15 për MW, duke dëshmuar përmirësim të dukshëm në procesin e konvertimit të energjisë. Për të njëjtën sasi të MW të prodhuar, tash kemi ndotje më të ulët, falë përdorimit më efikas të lëndës djegëse. Jetëgjatësia e njësisë është zgjatur për rreth 20 vjet, ndërsa cikli i mirëmbajtjes së pajisjeve të reja është shtyrë nga 6 në 9 vjet”, tha ai.

Ndërsa ministrja Rizvanolli tha se pas investimeve në këtë njësi, kapaciteti prodhues është rritur për rreth 35 MW, pa asnjë ndryshim në parametrat bazë të funksionimit.

“Këto investime janë bërë pas më shumë se 40 vitesh që kur operon Termocentrali ‘Kosova B’ dhe pikërisht kjo sakrificë afatshkurtër na sjell këto rezultate që janë afatgjate”, tha ajo.

Ky modernizim është rezultat i një pune të gjerë teknike e inxhinierike, që ka përfshirë:

  1. Modernizimin e turbinës – që përbën zemrën e sistemit të prodhimit.
  2. Ndërrimin e zbarave të gjeneratorit elektrik – për rritje të stabilitetit të tensionit dhe efikasitetit.
  3. Riparimin e ndërprerësit elektrik – që siguron mbrojtje maksimale të rrjetit.
  4. Ndërrimin e ekonomajzerit – për përmirësim të procesit të ngrohjes së avullit.
  5. Riparimin e kanalit të gazrave – për optimizim të qarkullimit dhe mbajtjen e parametrave të punës.
  6. Ndërrimin e mbi 4,000 gypave në kondenzator – për efikasitet më të lartë termik.
  7. Ndërrimin e pjesshëm të varëseve – që rrisin sigurinë strukturore dhe qëndrueshmërinë e sistemit.

Projekti i rehabilitimit dhe modernizimit të turbinës në Njësinë B2 të Termocentralit “Kosova B”, është realizuar nga ekspertët e KEK-ut dhe bashkëpunëtorët. Projekti ka rezultuar me rritje të dukshme të kapaciteteve prodhuese dhe efikasitet më të lartë të sistemit.