Ministrja Rizvanolli merr pjesë në përurimin e renovimit të ndërtesës sociale në Malishevë
Malishevë, 12.08.2025 – Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të punimeve në ndërtesën shumë-banesore sociale në Komunën e Malishevës, ku jetojnë 25 familje.
Përurimi i punimeve është realizuar në kuadër të projektit “Zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë për ndërtesat shumë-banesore sociale”, ku me një investim prej 192,147.00 euro, janë realizuar punimet që përfshijnë izolimin e jashtëm, ndërrimin e dritareve dhe dyerve, termoizolimin e kulmeve, instalimin e sistemit të ri të ngrohjes, vendosjen e interfonisë dhe masa mbrojtëse kundër zjarrit.
Projekti implementohet nga Fondi i Kosovës për Efiçiencё tё Energjisë dhe mbështetet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes përkrahjes financiare nga Bashkimi Evropian (me 90%) dhe pjesëmarrjen komunale me 10%.
Ministrja Rizvanolli theksoi se 25 familjet që jetojnë në këtë ndërtesë, ku nga to 3 gra janë kryefamiljare, do të kenë një ambient më të shëndetshëm, pa myk, më të ngrohtë dimrit e më të freskët verës dhe kjo ndikon që të kenë një jetë më të shëndetshme, e më të dinjitetshme.
Rizvanolli po ashtu pohoi se pas investimeve të kryera në këtë ndërtesë shumë-banesore sociale, kursimi i energjisë elektrike do të jetë 79 %.
Ajo tregoi se në vitin 2022 kërkesa drejtuar Bashkimit Evropian, për t’u përballur me krizën energjetike, ka pasur mirëkuptim dhe një reagim të shpejt dhe një bashkëpunim shumë të mirë në dizajnim të projektit. “Qëllimi ynë si qeveria ka qenë të ulim konsumin e energjisë në të gjitha shtresat, edhe tek popullata edhe tek bizneset, ndërkohë gjithashtu kemi qenë të vëmendshëm që intervenimet tona të afektojnë në mënyrë specifike edhe shtresat më të cenueshme të shoqërisë”, theksoi Rizvanolli.
Në ceremoni veç Ministres Rizvanolli kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Alessandro Bianciardi, drejtori menaxhues i Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Driton Hetemi dhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, të cilët u shprehen të lumtur për përfundimin e punimeve dhe për krijimin e kushteve më të mira të jetesës për banorët e kësaj ndërtese.
Në kuadër të reformës për efiçiencën e energjisë, në Komunën e Malishevës, veç punimeve në ndërtesën shumë-banesore sociale, janë mbështetur 142 familje me grante për izolimin e shtëpive të tyre, me një buxhet prej mbi 541 mijë euro.
Janë investuar 1.6 milionë euro në renovimin e 7 ndërtesave publike, përfshirë 6 shkolla dhe Sallën e Sporteve “Habib Zogaj”, duke arritur kursim energjie rreth 65% dhe kushte shumë më të mira për mësim.
Po ashtu, janë investuar 96 mijë euro për lidhjen e 7 shkollave me internet të shpejtë përmes KREN-it, duke krijuar mundësi të reja për arsimin dhe dijen.