13 milionë euro investim për sigurinë e kanalit Ibër-Lepenc, ministrja Rizvanolli viziton punimet të cilat përfundojnë së shpejti

Zubin Potok, 31.07.2025 – Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka vizituar nga afër punimet që po zhvillohen në projektin e rehabilitimit të kanalit Ibër-Lepenc në Zubin Potok, një projekt i rëndësishëm për sigurinë dhe funksionalitetin afatgjatë të kësaj infrastrukture strategjike.

Ky projekt, me vlerë mbi 13 milionë euro, është afër përfundimit dhe mbështetet nga Qeveria e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Bankën Botërore.

Ministrja theksoi se pas një kontrate problematike që ishte trashëguar dhe që kishte realizim minimal për vite të tëra, vetëm 10%, progresi i bërë gjatë dy viteve të fundit është domethënës. Pas ndërprerjes së kontratës dhe rishpalljes së saj, realizimi i projektit ka arritur tashmë në rreth 90% dhe pritet të përfundojë në muajt në vijim.

“Me këtë projekt po rrisim sigurinë e kanalit Ibër-Lepenc – një arterie jetike për energjinë, bujqësinë dhe furnizimin me ujë për rreth 500,000 qytetarë në Kosovën qendrore. Ky kanal nuk është vetëm ujë – është jetë dhe siguri për vendin tonë”, deklaroi ministrja Rizvanolli.

Ajo rikujtoi gjithashtu edhe riparimin e shpejtë të dëmeve të shkaktuara nga sulmi terrorist i 29 nëntorit 2024, ku reagimi i menjëhershëm i ekipit të projektit dhe i Korporatës Ibër-Lepenc siguroi vazhdimësinë e furnizimit me ujë në një periudhë kritike.

Punimet e deritanishme përfshijnë:

  • Riparimin e akuadukteve (2,586 m)
  • Ndërtimin e rezervuarit Bufer me kapacitet 30,000 m³
  • Rindërtimin e kanaleve trapezoidale dhe drejtkëndore
  • Ndërtimin e kutive shpërndarëse të ujit, rrjetave mbrojtëse, mureve mbajtëse dhe sistemeve të mbrojtjes mjedisore

Nga 49 km që ka gjithsej kanali, 20 km janë pjesë të hapura dhe prej tyre 10 km – që kishin nevojë më urgjente për ndërhyrje – po rehabilitohen në kuadër të këtij projekti.

Përmes këtij investimi, sigurohet funksionaliteti i qëndrueshëm i kanalit, reduktohen humbjet e ujit dhe përforcohet siguria ujore e vendit.

Ministrja Rizvanolli falënderoi ekipin e Ibër Lepencit, Bordin dhe menaxhmentin si dhe ekipin e projektit për angazhimin dhe profesionalizmin e treguar në realizimin e këtij projekti madhor.